Nga ARTAN FUGA
“Si e vërtetoj nisur nga libri im SHOQERIA PIRAMIDALE?
Veç një buxheti publik shpërpjesëtimor dhe gëlltitës vlerash, një modeli ekonomik drejt polarizimit pasuror përballë një konsumatori masiv pa fuqi blerëse, kemi edhe faktorin e tretë: Deficiti i tregtisë së jashtme.
Ky deficit po e mundon ekonominë shqiptare dhe, sikurse do ta shohim më tej, jo vetëm ekonominë, por edhe politikën, të drejtat qytetare, e kështu me radhë. Mjafton t’i referohemi tabelës 3 për t’u bindur56:
Bilanci deficitar i tregtisë së jashtme është një fakt i hershëm në periudhën e tranzicionit pas-totalitar në Shqipëri.
Në të vërtetë, është një pjesë shumë e ndërlikuar e realitetit shqiptar, e cila sjell pasoja të rëndësishme mbi funksionimin e modelit ekonomik të vendit dhe mbi të gjithë shoqërinë.
Shih: http://www.instat.gov.al/al/temat/industria-tregtia-dhe- shërbimet/regjistri-statistikor-i-ndërmarrjeve/… Sikurse del nga një interpretim i shpejtë i të dhënave të tabelës së mësipërme, vlera e mallrave të importuara është shumë më e madhe sesa ajo e mallrave të eksportuara. Kjo do të thotë se ekonomia shqiptare vazhdon të ketë një model të orientuar më shumë nga importi sesa nga eksporti. Një numër shumë i madh faktorësh luan rol, por këtu do të përmenden dy që duken si më kryesorë.
I pari lidhet me atë që vendi është i vogël dhe me një të kaluar dhe infrastrukturë të trashëguar që nuk e përballon dot ekonominë globale.
Dhe i dyti, duke qenë e paorientuar, ekonomia shqiptare e sunduar nga politika elektoraliste, nuk ka gjetur rrugën për t’u optimizuar në atë mënyrë që të integrohet në mënyrë të shëndoshë në ekonominë rajonale pastaj edhe në atë kontinentale e globale.
Megjithatë është për t’u venë në dukje se ky bilanc negativ në tregtinë e jashtme nuk është një fakt as i sotëm dhe as i pak viteve më parë. Po të shohim vetëm tridhjetë vitet e fundit del se bilanci i tregtisë së jashtme ka qenë gjithmonë negativ. Madje mund të thuhet se në vitet e fundit raporti midis vlerës së mallrave të importuar dhe të atyre të eksportuar është 2 me 1. Ndërsa në vitin 2000 për shembull ishte rreth 12 me
Mesatarisht, si rregull, për çdo tre deri katër njësi vlere financiare mallrash të importuara Shqipëria ka eksportuar vetëm një njësi vlere financiare mallrash për eksport.
Fakti që, ta zëmë, në 2018 raporti midis këtyre treguesve është rreth 2 me 1 ka anë pozitive. Shohim për shembull që në krahasim me vitin 2000 ekonomia shqiptare eksporton gati 10 herë më shumë mallra në vlerë financiare, ndërsa importon rreth 4 herë më shumë vlerë financiare mallrash nga jashtë sesa në vitin 2000.
Eksporti rritet më shpejt se importi. Sikurse thamë, kjo lidhet edhe me atë që në disa fusha sikurse janë energjia, produktet e industrisë nxjerrëse, prodhimet bujqësore e blegtorale, prodhimet e fasonerisë, etj., ka sipërmarrje shqiptare që e kanë gjetur tashmë rrugën e eksportit. Me shumë mundime, por kanë përparuar. Por, nuk duhet harruar se ulja përpjesëtimore e diferencës midis vlerës së mallrave të importuar dhe vlerës së mallrave të eksportuar mund të përmbajë edhe tregues realë që nuk janë medoemos pozitivë. Mundet që përpjesëtimisht ky raport të jetë ngushtuar, por kjo lidhet edhe me faktin që shumë biznese, pasi bënë një dekadë a më shumë më parë investimet themelore në makineri dhe pajisje të ardhura nga importi, tanimë janë në kohën e shfrytëzimit të tyre. Mundet që në disa sipërmarrje të tjera kjo lidhet edhe me një lloj vjetrimi gradual të pajisjeve dhe teknologjisë së importuar vite më parë.
Pa hyrë në këto detaje që kërkojnë analiza shumë të thella e të detajuara ia vlen të ndalemi më gjatë mbi diçka. Pavarësisht prirjes që përmendëm më lart, e që e quajtëm përgjithësisht pozitive, duhet thënë se në vlerë absolute diferenca midis importeve dhe eksporteve financiarisht ka ardhur duke u rritur.
Nëse, ta zëmë, sikurse e tregon tabela e mësipërme, në vitin 2000 kjo diferencë ishte 120 miliardë lekë, në vitin 2018 ajo është në masën e 331 miliardë lekëve. Sigurisht që në këtë rritje ndikon edhe rritja e inflacionit, por kjo është një çështje që këtu nuk po e marrim në konsideratë. Ajo nuk e ndryshon parimisht prirjen për të cilën flasim. Pra, nëse Shqipëria e vitit 2000 kishte një bilanc negativ eksport-import prej 120 miliard lekësh, në vitin 2018 ka një deficit negativ prej 331 miliard lekësh. Pra hendeku në vlerë absolute midis këtyre të dhënave është thelluar pothuajse 3 herë.
300% !
Nga tabela e mëposhtme57 vëmë re se sa më e madhe të jetë një sipërmarrje, aq më tepër ajo ka mundësi të eksportojë, ose
Shih: http://www.instat.gov.al/al/temat/industria-tregtia-dhe- shërbimet/regjistri-statistikor-i-ndërmarrjeve/…anasjelltas, sa më mirë ajo ta ketë gjetur rrugën e eksportit, aq më shumë ka mundur ta zgjerojë prodhimin e saj dhe t’i shtojë investimet.
Kështu sipas të dhënave të tabelës së mësipërme, ndërmarrjet e mëdha me më shumë se 250 punonjës eksportojnë në vlerë financiare 22,7 për qind të produkteve të tyre dhe shesin për tregun e vendit 72,3 për qind të kësaj game produktesh. Tabela tregon se ndërmarrjet e mesme, pra me 50 deri në 249 të punësuar eksportojnë produkte me një vlerë financiare prej 7,1 për qind të të gjithë vlerës që ato krijojnë, dhe për rrjedhojë 92,9 për qind të kësaj vlere e adresojnë vetëm në tregun e brendshëm. Midis faktorëve që e shpjegojnë këtë janë edhe dy, të cilët do të donim t’i vinim në dukje. Sigurisht që ka një lidhje midis kapjes të tregut të jashtëm dhe madhësisë së një sipërmarrjeje nga pikëpamja e punësimit të personelit. Tregu më i madh jep mundësi zgjerimi.
Madhësia e ndërmarrjes jep mundësi zgjerimi dhe performance në treg. Faktori i dytë lidhet me atë që këto sipërmarrje të mëdha më shumë janë në fushën e energjisë, të nxjerrjes së mineraleve, të fasonerisë, ku aksesi në tregun e jashtëm është relativisht më i lehtë sesa në fusha të tjera. Megjithatë, theksojmë se performanca në industrinë minerare, të tekstileve dhe të veshjeve shkon pothuajse paralelisht me shkallën e zgjerimit të punësimit në këta sektorë. E theksojmë këtë sepse, përkundrazi, në industritë e tjera me shkallë më të lartë strukture kapitali të ngurtësuar, mundësitë e punësimit nuk shkojnë gjithmonë në rritje. Kështu ndodh për shembull në aeroporte, në autorrugë të shpejtësive të mëdha, në ndërtime, në industrinë e informatizuar, etj..
Fakti që ndërmarrjet më të mëdha orientohen relativisht më shumë sesa të tjerat drejt eksportit dhe më të voglat mbeten në tregun e brendshëm ka pasoja serioze mbi ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. Por, këtë aspekt do ta shohim pak më tej. Hapja më e madhe ose më e vogël ndaj eksportit varet, sikundër thamë, edhe nga sektori që merret në shqyrtim. Këtë na e vërtetojnë edhe tabela 5 me të dhënat e INSTAT-it.58
Kuptohet nga tabela e mësipërme që Shqipëria eksporton shumë lëndë minerare, ushqime, pije, duhan, tekstile dhe veshje të prodhuara nga fasoneria, duke importuar edhe në këto fusha. Importon rreth 6 herë në vlera financiare më shumë veshje dhe tekstile sesa eksporton, importon mbi 9 herë më tepër në vlerë financiare makineri dhe pajisje sesa eksporton. Importon rreth 3 deri 4 herë më shumë (në vlerë financiare) mallra në sektorin e ushqimeve, duhanit, pijeve, etj., sesa eksporton.
Pra, jo vetëm në makineri dhe pajisje ekonomia është deficitare midis asaj që eksporton dhe asaj që importon. Kjo do të dukej e natyrshme. Por, ndodh kjo edhe në industrinë e veshjeve, ushqimore, etj.. Edhe në këto të fundit ajo është përsëri deficitare ndaj importeve.
Sektorët që importojnë më shumë jo medoemos eksportojnë edhe më shumë. Prirja e qartë është që sipërmarrjeve shqiptare u duhen më shumë teknologji dhe pajisje nga jashtë. Kurse për mallrat e konsumit, kjo duket se vjen edhe për shkak të prirjes së klientit drejt të huajës; konsumatori ka një shije sunduese për prodhimet e huaja. Ndërkaq, mos të harrojmë që në tregun ushqimor mallrat e huaja rajonale e kanë përmbytur dhe mundur tregun shqiptar duke e zvogëluar së tepërmi shkallën e pranisë në
treg të mallrave të sipërmarrjeve shqiptare. 58 Shih: http://www.instat.gov.al/al/temat/industria-tregtia-dhe- shërbimet/regjistri-
Partneri kryesor në tregtinë e jashtme i Shqipërisë mbetet Italia. Ajo tashmë zë 66,3 për qind të eksporteve dhe 45,7 të importeve. Sipërmarrjet e vogla dhe të mesme italiane e kanë gjetur më lehtë vendin e tyre në tregun shqiptar, sidomos në zonën Durrës – Tiranë, Vlorë, etj.. Tregtia me Italinë e ka lënë pas tregtinë me Greqinë, madje edhe tregtinë me Gjermaninë. Tregtia me Italinë është disa herë më e gjerë sesa ajo me të gjitha vendet e tjera europiane të marra së bashku.
Pasi theksuam këto konsiderata në planin përgjithësisht analitik, të shohim se cilat janë pasojat e këtij deficiti sasior, cilësor, strukturor mes eksporteve dhe importeve.Ekonomia shqiptare ka një treg të përmbytur nga mallrat e huaja dhe ka një frymëmarrje pothuajse të zënë për sa i përket hapjes së saj në tregjet e huaja rajonale dhe më gjerë.Deficiti aktual prej rreth 3 miliard eurosh në bilancin e tregtisë së jashtme është një barrë e rëndë për ekonominë shqiptare në përgjithësi dhe sipërmarrjen dhe konsumatorin shqiptar në veçanti.
Përse është i tillë? Ardhja e mallrave nga importi në një vlerë që e tejkalon aktualisht dy herë vlerën e mallrave të eksportuara nga ekonomia kombëtare e rëndon këtë të fundit sepse mallrat e importuara kanë çmime që vijnë nga vlera e tyre në tregjet e jashtme.
Veçanërisht kur këto mallra vijnë nga tregje perëndimore, çmimet e tyre reflektojnë marrëdhëniet midis kostos së prodhimit të tyre, shkallës së fitimit, por edhe të nivelit të fuqisë blerëse në ato tregje.
Pastaj duhet thënë që shpesh kjo tregti që importon mallra për tregun shqiptar bëhet nga grosistët që kanë monopolin në këtë treg, dhe për rrjedhojë i mbajnë çmimet e larta duke mos vepruar në kushtet e konkurrencës.
Sigurisht këtij çmimi i janë bashkangjitur edhe shpenzimet e transportit të mallrave dhe shpenzime të tjera doganore, etj. Veç kësaj kalimi i mallrave nga çmimet e tyre në euro drejt vlerës së tyre kryesisht në lekë, shton edhe barrën financiare që vjen nga shkëmbimi i një monedhe te tjetra. Në këtë mënyrë mallrat e huaja ose vijnë me çmim shumë të lartë, ose janë me çmime të kapshme nga konsumatori shqiptar, por janë të cilësisë më të ulët, të tregtuara si kundrafasone, ose janë mallra të përdorura, ose pa sigurinë e duhur të afatit të përdorimit, të dala mode, apo stoqe që nuk shiten më në tregjet e huaja.
Kur mallrat e huaja janë pajisje teknologjike të domosdo- shme për sipërmarrjen shqiptare, me të cilat ajo do të realizojë procesin e prodhimit ose të shërbimeve, atëherë kjo kosto e lartë bie natyrshëm mbi shpenzimet e sipërmarrjes në fjalë. Kjo e fundit, për t’i përballuar ato, ose e hedh këtë vështirësi financiare në kurriz të cilësisë, ose propozon çmime në treg që janë tepër të kripura për konsumatorin shqiptar.
Më ka ndodhur të kërkoj për një palë atlete lëkure, të bardha, në Durrës, pastaj i kam krahasuar çmimet e tyre me ato që kam parë në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Korçe, etj. Dy kanë qenë mundësitë për t’i gjetur. Ose në butikat kryesore të qytetit, shik, me çmim mbi 200 euro, (me të njëjtën cilësi në Perëndim i gjen midis 30 deri në maksimumin 60 euro,) ose mund t’i gjesh të përdorura, me çmim 5 euro në mallrat e tregut të Gabit, midis mallrash shtrirë në rërën e Adriatikut aty afër pistës “Kosova”.
Në të vërtetë, përtej një analize makro-financiare, nëse problemi shqyrtohet në varësi të modelit të biznesit të çdo sipërmarrjeje të veçantë, situata paraqitet disi e larmishme. Ka ndërmarrje të cilat blejnë pajisje dhe teknologji në tregun e huaj dhe me mallrat e tyre synojnë po atë treg. Këto sipërmarrje janë shumë të pakta në numër, sikurse e tregojnë edhe statistikat e paraqitura më lart. Gjithsesi mund të mendohet që ato, duke përdorur një krah pune shqiptar më të lirë sesa ai perëndimor, me shumë pak të drejta në punë, bëhen disi konkurruese në tregun e jashtëm. Ky është rasti pak a shumë i sipërmarrjeve fasone, por edhe në këtë rast, sipërmarrësit ushtrojnë presion kryesisht mbi pagat e punonjësve, për t’i mbajtur ato sa më të ulëta në mënyrë që pesha e kapitalit të investuar për burimet njerëzore të jetë sa më e lehtë. Kjo jo vetëm e mban në kushte minimale shpërblimin e punës, por edhe ndikon që fuqia blerëse e konsumatorit shqiptar të jetë shumë e ulët çka vështirëson dinamikat e tregut për llojet e tjera të mallrave. Po kështu kjo bën që masa monetare e shprehur në lekë në tregun shqiptar e ardhur nga këto paga, për t’u këmbyer në euro, të jetë relativisht e vogël.
Ka edhe modele biznesi ku ndërmarrja është e detyruar të blejë pajisje dhe teknologji nga jashtë vendit, por të jetë e detyruar të tregtojë mallra kryesisht për tregun shqiptar.
Sikurse e tregojnë statistikat kjo i ndodh shumicës së sipërmarrjeve të mesme dhe të vogla, pa përjashtuar edhe ndonjë të madhe. Këtu sipërmarrja ndodhet në pozitë të vështirë financiare sepse çmimet e larta të pajisjeve teknologjike të blera nga eksporti, që reflektohen mbi shpenzimet për prodhimin e mallrave dhe realizimin e shërbimeve të propozuara në treg, duhet të mishërohen në çmime e larta të këtyre të fundit. Kjo politikë ka sidoqoftë një kufi sepse tregu shqiptar karakterizohet nga fuqi blerëse e ulët. Kështu bizneset ose janë të detyruara të falimentojnë, ose të mbajnë çmime të larta duke u orientuar vetëm drejt një segmenti të ngushtë klientësh potencialë të tyre. Ose përpiqen të gjejnë mjete dhe burime financiare të tjera për të cilat do të flasim pak më tej.
Kështu klienti shqiptar ankohet sepse litri i karburantit në pompat e furnizimit me karburant në territorin shqiptar është shumë i shtrenjtë. Dhe cilësia e tij jo në atë nivel sikurse ai mund të gjendet në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Greqi, Itali. Pas kësaj kuptohet që do të konstatohet se edhe çmimet e shërbimeve taksi do të jenë më të larta krahasuar me ato në këto vende dhe me të ardhurat e njerëzve atje. Njerëzit ankohen sepse çmimet për të bërë vizita mjekësore që kërkojnë aparatura ekografie, dopleri, shintigrafie, etj., janë shumë të larta për fuqinë blerëse dhe të ardhurat e një pacienti shqiptar kur ky shërbim kërkohet prej tij në qendrat spitalore private.
Nuk bëhet fjalë që me të ardhurat e një të punësuari me pagë mesatare shqiptare të blihet një aparaturë elektroshtëpiake po aq normalisht sa dhe si e blen atë një klient në tregjet perëndimore. E njëjta lavatriçe për shembull, me të njëjtin çmim te ne dhe në një vend perëndimor, atje kushton realisht ta zëmë sa një e katërta e pagës mesatare mujore e një konsumatori, kurse te ne, në rastin më të mirë, vlera financiare e këtij çmimi është së paku e barabartë me pagën mesatare mujore të klientit. Kuptohen pasojat që vijnë prej këndej.
Gjithashtu, edhe sipërmarrjet shqiptare që funksionojnë me burime natyrore, pajisje, bazë infrastrukturore përgjithë- sisht shqiptare, i destinojnë produktet e tyre kryesisht në tregun shqiptar. Sado që këto sipërmarrje duken si të çliruara nga pesha e deficitit të tregtisë së jashtme shqiptare, në thelb nuk është ashtu. Ato, më së pari, janë të izoluara në një treg të ngushtë, që ka fuqi blerëse shumë të kufizuar, por edhe që në numër, sikurse tregojnë statistikat e përdorura, janë të shumta.
Për këtë arsye ato ose detyrohen të falimentojnë nga një konkurrencë jo e shëndoshë, ose të mbajnë çmime të larta,nëpërmjet një marrëveshjeje të heshtur midis tyre, meqë janë të detyruara ta bëjnë këtë. Sipërmarrësit e vegjël ose ata fare të vegjël, janë edhe sipërmarrës, por janë edhe konsumatorë. Duke parë çmimet e larta në treg të kostos të jetesës, edhe ata, i mbajnë të larta çmimet e produkteve të tyre, qofshin këto bujqësore, blegtorale, a të tjera. Të larta janë sidomos për shembull edhe punimet e shërbimeve të riparimeve dhe mirëmbajtjes në familje, etj..
Pyetja që shtrohet është sa e thjeshtë aq edhe e vështirë nga pikëpamja e përgjigjeve që mund të gjejë.
Ku do t’i gjejë ekonomia shqiptare 3 miliardë eurot që i mungojnë çdo vit nga bilancet negative që ajo ka në tregtinë e jashtme”?