Christian Panuçi shumë shpejt është shndërruar në një personazh të dashur për të gjithë ndjekësit e futbollit dhe jo vetëm. Edhe pse ka pasur pak ndeshje në dispozicion tekniku Italian ka ditur ti imponojë skuadrës frymën e tij të lojës.
Sot ai ka pasur një intervistë për ‘’syri.net”, ku ka folur rreth aventurës së tij në krye të kuq e zinjve.
Panuçi tha se ndihet shumë mirë në Shqipëri, edhe se objektivi kryesor është kualifikimi i Shqipërisë në Europianin e vitit 2020. Ndërkohë që Panuçi analizoi dhe faktorët që sollën eliminimin e Italisë në fazën playof për kualifikimet e botërorit Rusi 2018-të.
Intervista e Plotë:
Alen Xhelili: Përshëndetje dhe mirë se erdhët
Panuçi: Përshëndetje
Xhelili: Hera e parë që Italia ra në një grup me Shqipërinë dhe për herë të parë nuk u kualifikua për në botëror. Cili ishte tersi në këtë mes?
Panuçi: Besoj se Italia e kërkoi vetë fatin e saj, ishte normale të dilte në disavantazh sepse Spanja ishte një kundërshtar shumë i vështirë dhe mendoj se skuadra italiane nuk mori atë që meritonin në të vërtetë. Është një fakt historik që Italia nuk hyri në botëror, unë personalisht si Italian ndihem shume keq për një fakt të tillë por… jam më tepër i dëshpëruar për humbjen e Shqipërisë në ndeshjen me Italinë.
Xhelili: Çfarë emocionesh kishit kur luante Italia me Shqipërinë?
Panuçi: Emocion… fakti që unë jam Italian, por në mënyrë paradoksale, unë jam një person i ftohtë dhe atë që kërkoja atë ditë ishte që djemtë e skuadrës të luanin një lojë serioze. Këtë gjë djemtë e bën, por nuk arritëm të kapnim një rezultat pozitiv. Është e qartë që disa ditë para ndeshjes, emocionet si një italian që luante kundra skuadrës Italiane ishin diçka e veçantë.
Xhelili: I ftohtë si trajner se si lojtar…
Panuçi: Po, është e vërtetë… Si lojtar e përjetoja shumë lojën, isha shumë korrekt dhe serioz. Si lojtar me pëlqente të fitoja, nuk doja kurrsesi të humbisja dhe për këtë shkak e përjetoja jashtë mase ndeshjen. Gjithsesi, kam patur një sjellje mjaft serioze brenda fushës.
Xhelili: Përpara se të ndalem të futbolli në Shqipëri…
Panuçi: Ne Itali në këto momente ekziston vetëm Juventus. Juventusi shkoj në finalen e Champions League, skuadrat e tjera e kanë të vështirë të kalojnë fazën e parë të Champions apo çerekfinalet. Kemi një sistem të gabuar… Më parë lojtarët më të mirë të botës vinin në Itali për të luajtur. Ka një krizë Europiane që tashmë ka goditur edhe Italinë. Në Itali, nëse i jep një lojtari një page, duhet të paguash edhe taksa sa paga e tij, ndërsa në Angli dhe Spanjë funksionon ndryshe.
Ka një sektor plot me të rinj që nuk funksionon sepse nuk kanë shtysë, nuk kanë kurajo ti fusin në fushë, sepse tranjerët pas tre ndeshjesh i çojnë në shtëpi. Një sistem me vete, është kriza, kriza futbollit… nuk investohet në sektorin e të rinjve. E vetmja që ka investuar është Atalanta dhe kanë marrë 120 milion euro nga shitjet këtë vit, sepse ka punuar në sektorin e të rinjve. Pra çdo gjë në Itali duhet ringritur nga fillimi. Gjithsesi, Italia mund të hynte në botëror, sepse fundja Suedia shkoi në Botëror, por kjo nuk do të rregullonte problemin e sistemit, drejtuesit, apo programin e ndeshjeve italianë të cilat nuk funksionojnë.
Xhelili: Kthehemi te Panuçi, katenachio…
-Panuçi: Unë kam punuar shumë në vende të huaja, kam luajtur në Spanjë dhe dua ti jap mbrojtjen më të mirë kësaj skuadre. Nuk dua të jem ai që vjen këtu për të thënë, dua që të luaj me skuadrën ofensive… Unë dua një skuadër që të ketë kualitet dhe dua që këto kualitete ti nxjerrin në pah.
Sepse Grezda, Rroshi, Memushaj, Sadiku, Cikalleshi, Balaj, Qaka, ai djali i ri që kemi gjetur… janë lojtarë me kualitete. Kur në një kombëtare ke pak kohë për të punuar, kualiteti është ajo që bën diferencën. Ti mund të organizosh një sfilatë të bukur mode, por nëse nuk i ke vajzat e bukura, sfilata del e shëmtuar.
Xhelili: I mungon kombëtares Lorik Cana???
Panuçi: Unë mendoj se kam një grup tepër të mirë, djema shumë serioz që unë po mundohem tu jap atyre diçka më shumë, sepse mënyra se si punon, kultura e punës e profesionit, duke qenë se të gjitha punët duhet tu jepet maksimumi. Nëse një person jep 50 për qind, do të luaj 50 për qind. Ndërsa unë po mundohem ti ndez zjarrin që skuadra ka brenda vetes, kjo është ajo që bën diferencën në futboll. Kam gjetur një grup që më ndjek, djem që punohet shumë mirë dhe jam i bindur se me këtë ritëm pune do të arrijmë rezultate të mira me Shqipërinë.
Xhelili: Keni shpresa se me këtë grup si Simeone për grintën e transmetuar…
Panuçi: Në ndeshjen e fundit me Turqinë kishim vetëm 9 ditë për të punuar, ndërkohë unë para ndeshjes u bëra komplimente djemve sepse kisha ndjenja mjaft pozitive. Pjesa e parë e ndeshjes me Turqinë ishte pjesa ku doli cilësia e lojës, sepse skuadra ka luajtur shumë mirë në fushë dhe dukej puna e mirë. Në pjesën e dytë ku mbetëm me 10 lojtarë pas daljes së Memushaj, loja u kthye në forcën e karakterit. Kjo skuadër ka treguar se di të luaj futboll, ka treguar se ka karakter dhe nëse luajmë me seriozitet mund të sjellim rezultate të kënaqshme dhe mund të kënaqim edhe popullin shqiptar.
Xhelili: Sa e vërtetë ishte ndeshja me Turqinë?
Panuçi: Në kombëtare nuk ka miqësore, është e qartë që kemi shumë punë për të bërë, sepse në fund të fundit është miqësore, por të mbetesh me 10 lojtarë dhe ti bësh edhe 3 gola Turqisë, të luash me këtë intensitet, me këtë dëshirë për të mos shkuar në barazimin dhe aq më keq në humbje, ishte një mesazh tepër i rëndësishëm serioziteti dhe profesionalizmi nga ana e lojtareve. Pastaj kur të vinë kualifikimet është një tjetër histori. Për momentin po vendosim disa baza pune të cilat janë tepër të rëndësishme.
Xhelili: Ky grup aktual lojtarësh do ta synojë Evropianin, apo ke ndërmend të afrosh emra të rinj në skuadër?
Panuçi: Kombëtarja është e hapur për të gjithë lojtaret, këtë periudhë do të udhëtoj nëpër Evropë sepse janë shumë lojtar shqiptarë që mund të luajnë për Kombëtaren, pra unë do të mundohem të zgjedh më të mirët ndër 30, 25 dhe 22 lojtarë që mund të bëhen pjesë e kësaj Kombëtareje, e ndoshta pas 1 viti e gjysmë mund të kemi të tjerë lojtar, si psh Qaka që luante në Rumani dhe nuk e njihte askush, e ndërkohë dje më erdhi sms që e këkojnë Steaua Bukuresht, Kluzh apo dhe Shahktar Donekts. Unë që në ditën e parë që u zgjodha për të drejtuar kombëtaren shqiptare të futbollit, kam një mendim në kokë, t’i rikthej Armando Dukës besimin që ai pati tek unë, duke punuar me profesionalitet dhe përkushtim.
Xhelili: CV si futbollist e keni mjaft të pasur, por realisht jeni gati për ta çuar Shqipërinë në Evropian?
Panuçi: Këtë gjë do ta tregojë koha, unë jam i bindur se kam një skuadër të mirë dhe mund të bëj një punë të mirë duke parë që lojtarët më mbështesin në atë që kërkoj, janë të bindur në punën që bëj. Nuk do të shkoja kurrë kundër zërit të skuadrës. Unë mendoj se këto djem vlejnë shumë më shumë se çka kanë dhënë deri tani dhe nuk dua që ata të humbasin as një milimetër në nivelin e karrierës së tyre kur grumbullohen në kombëtare.
Xhelili: A është Evropian basti juaj i madh, apo nëse do t’ju vinte një ofertë më e mirë, do t’a linit drejtimin e Kombëtares shqiptare?
Absolutisht po, dua ti jap Dukës besimin që ai më dha mua, duke ja shpërblyer me kualifikimin në Evropian. Nuk ka ditë që unë zgjohem dhe të mos mendoj për këtë Evropian, është një obsesion, më konsiderojnë një person shumë serioz dhe profesionist, kështu që në këtë pikë i vetmi objektiv në jetën time është të dërgoj Shqipërinë në Euro 2020.
Xhelili: Mbështetjen e De Biassit e keni patur, është një mik i juaji, ju bindi ai për të drejtuar Shqipërinë?
Panuçi: Sigurisht! Xhani është madhështor sepse ka shprehur fjalë shumë të mira për mua në kohën që Duka filloi të mendojë për Panuçin si pasuesin e tij. De Biassi më ka folur shumë për Shqipërinë, për një vend të jashtëzakonshëm me kulturë të pabesueshme. Ai është ndjerë shumë mirë dhe nuk ishte nevoja për të më bindur shumë sepse shikoja te Shqipëria lojtarë me nivel të lartë dhe kur mu dha kjo mundësi, e zgjodha shumë shpejt pa diskutuar fare.
Xhelili: Nëse ju jeni i hapur dhe kritikoni sistemin në Itali, po kritika për sistemin e futbollit në Shqipëri keni, sepse pak a shumë Kombëtarja shqiptare bazohet tek lojtar që rriten në akademitë e huaja, pak janë ata që rriten në akademitë vendase dhe a ka probleme futbolli në Shqipëri?
Panuçi: Unë mendoj se Shqipëria ka një federatë që funksionon shumë mirë, ka një president si Armando Duka që të gjithë trajnerët mund ta ëndërrojnë. Kur diskutojmë apo flasim me njëri-tjetrin, më lë mua gjithmonë të zgjedh e për këtë më bën të punoj në qetësi të plotë. Nevojitet të kuptojmë se ku ishte futbolli shqiptar 10 vite më parë dhe se ku është tani, e në këtë pikë duhet të themi që ka lulëzuar shumë. Federata po punon shumë me të rinjtë, si Gjermania në 2006 që filloi të punojë me akademitë e futbollit dhe 8 vite më pas arriti të fitojë Botërorin në Brazil. Në futbollin shqiptar po investohet shumë por është e qartë që rezultatet nuk mund të vinë direkt, ashtu si dhe për Italinë nuk mund të vilen frytet shpejt.
Xhelili: Disa nga lojtarët shqiptar luajnë në Serinë A, e në kohën kur luanit ju, nuk i numëroje dot as me gishtat e dorës, ndërkohë që tani ka shumë lojtarë shqiptarë në kampionatin italian. Ka emra të tjerë që mund të luajnë shumë mirë në Itali dhe a mund të më veçoni ndonjë prej tyre?
Panuçi: Problemi i ekstrakomunitarëve haset në të gjithë Evropën, kur të huajt filluan të lëviznin lirisht, shumë kush e pa këtë gjë si biznes dhe ka raste plot kur shumë lojtarë kanë luajtur në kategori inferiore dhe pas 2 vitesh grumbullohen në kombëtare. Shpesh herë duhet të kesh forcën dhe kurajon të marrësh lojtar që luajnë edhe në kategori të dytë për ti aktivizuar në Serinë A, e në shumë raste kjo gjë nuk ndodh pasi kanë frikë dhe nuk duan të rrezikojnë, por duhen marrë përgjegjësitë mbi supe.
Xhelili: Dua ti rikthehem edhe njëherë kombëtares italiane, mund të më thoni se çfarë shkoi keq tek “axurrët”?
Panuçi: Ehh…rezultati shkoi keq sepse skuadrat luajnë për rezultatin, por ishte e qartë që do ndiheshin të dizavantazhuar kur Spanja ishte në një grup, e cila doli e para dhe mungesa e kualifikimit ishte një katastrofë për të gjithë botën e futbollit italian. Personalisht nuk ndihem i mërzitur ose i frikësuar, por ndihem i surprizuar nga një anë, sepse në kombëtaren italiane nuk ka zëvendësues të mirë. Kohë më parë tek “axurrët” ishin 8, 10 apo dhe 12 mbrojtës, 10 mesfushorë, 20 sulmues, e sot nuk janë më dhe ky është një problem madhor, nuk ka skuadër të dytë siç ndodh me Spanjën që ka një grup prej 40 lojtarësh në kombëtare dhe më pas zgjedh 22 më të mirët. Sistemi italian i futbollit në vitet e fundit është totalisht i gabuar.
Xhelili: Po trajneri (Ventura), përgjegjësia e tij?
Panuçi: Përsa i përket Venturës, unë mendoj se ai bëri gjithçka duhej bërë për të përmbysur disavantazhin, por në shumë raste dikush ka disa ide dhe zgjedh formacionin dhe ai zgjodhi të zbresë në fushë atë formacion, por nuk i shkoi për mirë. Unë si koleg nuk mund të them nëse Ventura veproi mirë apo keq.
Xhelili: Kushdo që mund të ishte në vend të Venturës, kaq mund të arrinte me atë grup?
Panuçi: Kjo është diçka që ndryshon në varësi të trajnerit, psh unë rreshtoj një formacion, Mourinho një tjetër, e ndoshta ti vetë një tjetër. Kur drejton një Kombëtare gjithmonë do jesh i kritikuar për lojtarët që zgjedh. Nëse unë do të zgjidhja 22 lojtarë, shumica do të pyeste pse nuk merr dhe 5 të tjerë?! Në kombëtare e thash dhe më parë që ekzistojnë këto debate, pse nuk e grumbullove këtë dhe pse jo atë…por unë mendoj se duhet ti qëndrojmë lojës…e në këtë pike edhe një gazetar e sheh futbollin në mënyrën e vet.
Xhelili: E shikoni një ditë që Italia dhe Shqipëria të luajnë dhe konkurrojnë sëbashku, jo me trofe, por me lojë dhe të kenë mundësinë të kualifikohen në kompeticionet më madhore të futbollit?
Panuçi: Sinqerisht mua më intereson Shqipëria në këtë moment, mjafton që Shqipëria të triumfojë dhe do të jem shumë i gëzuar, por nqs do të jetë edhe Italia, është e qartë që ndihem mire sepse unë jam italian. Por unë jam një profesionist dhe jam tepër i përfshirë në punën time me Shqipërinë, për të menduar për gjëra të tjera. Është e qartë se nëse Shqipëria shkon në Evropian, më pas do më interesonte nëse Italia është kualifikuar, por ajo që për mua vlen më shumë në këto momente është vetëm Shqipëria.