Papa Françesku kërkoi falje të mërkurën për qëndrimin ulur gjatë audiencës së tij javore, duke fajësuar një gju që e mundonte dhe e kishte detyruar të anulonte disa aktivitete ditët e fundit.
“Kërkoj falje që do t’ju përshëndes ulur, sepse ky gju nuk e ka mbaruar shërimin dhe nuk mund të qëndroj në këmbë për një kohë të gjatë”, tha ai pas audiencës në Sheshin e Shën Pjetrit.
“Më falni për këtë, faleminderit”, i tha 85-vjeçari turmës së mbledhur, që duartrokiti.
Papa argjentinas e kishte boshatisur axhendën të martën për shkak të dhimbjes në gjurin e tij të djathtë siç anuloi angazhimet të premten e kaluar për t’iu nënshtruar kontrolleve mjekësore.
Ai duket se ka probleme me ecjen për shkak të gjurit, sepse i ndodhi edhe në shkurt dhe mars, megjithëse kaloi dy ditë duke vizituar shtetin ishullor mesdhetar të Maltës, siç ishte planifikuar në fillim të këtij muaji.
Papa Françesku i tha gazetës argjentinase La Nacion javën e kaluar se kishte një ligament të këputur në gju, të cilin po e kuronte duke i vendosur akull dhe pirë qetësues.
Ai tha se i kishin thënë se do t’i ikte me kohë, por procesi i shërimit “është i ngadalshëm në këtë moshë”.