Pas 38 ditësh në spital duke luftuar me pneumoni të dyfishtë, Papa Françesku bëri daljen e tij të parë publike të dielën që nga 14 shkurti dhe u kthye në Vatikan. Por mjekët i kanë rekomanduar Papës 88-vjeçar edhe dy muaj pushim për të lejuar që trupi i tij i plakur të shërohet plotësisht, është e paqartë se sa shpesh njerëzit do ta shohin udhëheqësin e 1.4 miliardë katolikëve në botë në javët e ardhshme.
Papa u largua nga spitali Gemelli i Romës të dielën dhe u kthye në Casa Santa Marta (Shtëpia e Shën Martës), një ndërtesë e vogël në Vatikan, e cila ka qenë shtëpia e tij që nga zgjedhja e si Papë në 2013.
E ndërtuar në vitin 1996 si një vend për kardinalët për të qëndruar gjatë një konklava papale për të zgjedhur një papë të ri, Santa Marta është e strukturuar si një hotel, me dhoma për të ftuar në pesë kate, një kafene të vogël dhe një kishëz. Por objekti në përgjithësi nuk është i hapur për publikun. Në vitet ndërmjet konklavave, ajo është kryesisht një shtëpi për shumë nga priftërinjtë që punojnë në Vatikan, të cilët kanë leje të posaçme që i lejojnë hyrjen.
Papa dhe ndihmësit e tij më të afërt zënë një sërë dhomash në katin e dytë të ndërtesës. Vatikani ka treguar se asnjë marrëveshje e re e veçantë nuk është bërë në objekt për t’u kujdesur për Françeskun ndërsa ai shërohet nga pneumonia.
Ndryshimi i vetëm ishte instalimi i një shtrati të ri të rregullueshëm, me kontrolle elektronike për ta bërë atë më të aksesueshëm për Papën, i cili ka përdorur një karrige me rrota vitet e fundit, raportoi të dielën Corriere della Sera e Italisë.
Nuk dihet se sa Françesku, i cili ka një reputacion se punon vetë deri në rraskapitje, do të ndjekë urdhrat e mjekëve të tij për të pushuar dy muaj. “Unë mendoj se për momentin do t’i sjellim atij vetëm çështjet më të rëndësishme që kërkojnë një vendim prej tij, në mënyrë që të mos e lodhim shumë”, u tha gazetarëve kardinali Pietro Parolin, zyrtari numër dy i Vatikanit.
Papa kishte vazhduar të drejtonte Kishën globale edhe nga spitali, duke bërë emërimet e zakonshme të peshkopëve katolikë në mbarë botën dhe gjithashtu duke nisur një proces të ri reformash tre-vjeçare për institucionin.
Normalisht, Françesku ka të paktën dy ngjarje publike në javë – një audiencë në Vatikan me pelegrinët çdo të mërkurë dhe një lutje në sheshin e Shën Pjetrit çdo të diel. Gjatë sëmundjeve të kaluara, Papa i ka mbajtur ato takime, ndonjëherë përmes lidhjes video nga Santa Marta kur ai është veçanërisht i sëmurë.
Vatikani nuk ka dhënë asnjë indikacion se çfarë të pritet në lidhje me axhendën e planifikuar të Papës në javët e ardhshme, duke përfshirë një takim me mbretin e Britanisë Charles më 8 prill dhe festimet e Pashkëve më 20 prill. “Shpresoj që të paktën ai të jetë në gjendje t’i përshëndesë,” tha Parolin për audiencën e planifikuar të Françeskut me monarkun britanik.
Françesku, me origjinë nga Argjentina dhe Papa i parë nga Amerika, është gjithashtu Papa i parë në më shumë se një shekull që jeton jashtë pallatit apostolik të Vatikanit, një ndërtesë e zbukuruar e Rilindjes italiane e vendosur pranë sheshit të Shën Pjetrit.
Papa ka thënë se jeton në Santa Marta, që ndodhet në murin jugor të Vatikanit pranë stacionit të vogël të trenit të qytetit-shtet, sepse i pëlqen të jetë rreth njerëzve të tjerë. “Jam i lumtur në Santa Marta sepse kam njerëz rreth meje,” shkroi Françesku në një autobiografi të publikuar në fillim të këtij viti. “Unë do të jem atje për aq kohë sa të dëshirojë Zoti.”