Nga Ardi Omeri* –
Të botosh në revistë a gazetë, poezi, prozë a përkthime, është gjë e bukur. Dhe lexoj që ka disa gazeta që tashmë e kanë një faqe letrare. Poeteka, Gazeta Shqiptare, Shqiptarja.com, Telegrafi, Nacional, Muzgu, etj etj pa folur për portalet online që janë si buburrecat tashmë.
Por… dhe ka një por të madhe. Kush publikohet aty e sa vlejnë ato krijime? Eh…
Kam lexuar këto ditë shumë syresh. Poezi, tregime, novela të shkurtra e përkthime. Sinqerisht, sipas mendimit tim modest profesional, 90% e tyre janë zhgarravina. Poezitë janë “o nëne o nëne..” Përkthimet e poezive, disa bërë edhe nga emra të njohur, janë thjeshtë nga njohës të gjuhëve të huaja, pa përshtatje, pa poezi. Pa ADN-në e fillesës së poezisë, por thjeshtë “translate”.
Këta përkthyes dhe botuesit e tyre në shtyp i bëjnë një dëm të madh letërsisë dhe krijuesve të rinj që më pas aludojnë në këtë të ashtuquajturën poezi bashkëkohore. Na del Neruda pa rimë, pa frymë, pa ritëm, thjeshtë metafora e patos.
Na del Bukowski zhgarravitës e theshtë kurvar. Na del Pushkini e Esenini pa muzikë (absurd).
Të gjitha këto botohen për disa arsye:
I pari është interesi i botuesve që të kenë shitje dhe shikueshmëri.
I dyti është e pashmangshmja “qokë”, detyrim apo “gjueti shtrigash”.
I treti e jo më pak i rëndësishmi është konkurenca ndërmjet vetë këtyre “testatave mediatike” që nëpërmjet shumë llojshmërisë së emrave kërkojnë rritjen e numrit të lexueseve fiktivisht. Them fiktivisht pasi shumica e lexueseve të tillë, lexojnë vetëm postimin e tyre, e shpërndajnë në faqet e tyre në fb dhe nuk lexojnë asgjë tjetër. Ndoshta për mitomani e konkurencë lexojnë ndonje emër tjetër të botuar thjeshtë për tu mburrur apo për të ironizuar krijimet e tjera, a thua se të tyret vlejnë më shumë.
Dëmin më të madh në këto farsa botimesh e bën ministria e kulturës që “përkrah” financiarisht ndonjërën në këtë konkurencë të padrejtë dhe joligjore. Pikërisht me fondet e ministres dhe para sallonit të saj disa vetëm sa reklamojnë veten e tyre si poetë e shkrimtarë të mëdhenj.
Në fakt, unë mendoj se reklamën e tij krijuesi e ka tek lexuesi në librari dhe nuk mjaftojnë dhjetëra Mirela Kumbaro e ndihmëset e saj që japin para për të ndërtuar një krijues e asnjë përkthyes. Nuk mjafton as Top Channel e Tvsh për të fabrikuar krijues poetë e shkrimtarë. Nuk mjaftojnë të gjitha portalet on line dhe mediat e shkruara për të fabrikuar krijues. As çmimet që japin secili me vete e për llogari të tyre, shpesh me paratë e shqiptarëve, nuk mjaftojnë. Madje as partitë që kohet e fundit janë edhe ato në garë kush e kush të kete “në gji” disa të tillë.
Fenomeni tjetër është majmunëria, kopjimet, plagjaturat që nuk mjaftohen me vjedhjen e krijimeve të të tjerëve por na i paraqesin të sponsorizuar me para në fb e gjetkë si te tyret e për këtë stimulohen…
“Mosmirënjohësi është vesi më i keq.” – Filan fisteku
Ky tip që tashmë është bërë si Mesia, ka kopjuar stilin e një kosovari që kopion nga literatura botërore dhe e paraqet si të tijën. Ky e shumë të tjerë sot i gjen në të gjitha faqet on line me thënie e postulate që s’janë gjë tjetër por kopjme nga autorë vendas e të huaj, nga shprehjet popullore etj. Mediokriteti i njerëzve i ka stimuluar.
“Papagallë që stimolohen nga Kukumjaçka”. Kjo është neveria e injorancës dhe gjendja ku është katandisur letërsia jonë sot. Shpesh me ndihmën e ministrisë së kulturës e më së shumti me ndihmën tuaj miq, me ndihmën e shumicës prej jush.
A do ndryshojë kjo gjendje? Nuk e besoj. Në atdheun tim këto paçavure ka kohë që bëhen, e kish vënë re Konica i madh, Poradeci i shquar dhe e nënvizon madhërishem Dritëro Agolli. Nuk mjafton të vargëzosh për tu quajtur poet.
Unë çfare titulli kam që e ngre këte shqetësim? Asnjë, thjeshtë mendim personal i një poeti të thjeshtë që nuk bën “pakt me djajtë për të qërruar Zotin…” (A.R/SHUPLAKA)
* Poet