Ish-kryeministri Nikolla Gruevski para se të arratisej, u ka dërguar një letër krerëve më të lartë të BE-së. Gruevski u ka nisur një letër eurokomisionerit për zgjerim Johannes Hahn, përfaqësueses për politikën e jashtme të BE-së Federica Mogherini, komisionerit për të drejtat e njeriut në Këshillin Evropian Dunja Mijatoviq dhe kryetarit të Partisë Popullore Evropiane, Jossef Doll.
Gruevski në letër shkruan se dënimi prej dy viteve burg i është shqiptuar pa menduar dhe nga fakte të fabrikuara. Ai ka kërkuar që BE ose institucione tjera evropiane të angazhojnë disa gjykatës të njohur nga vendet anëtare të BE-së që do të merren me lëndën kundër tij – “Tanku”.
“Të marrin pjesë në disa seanca dhe në fund të përgjigjen nëse në shtetet e tyre, me dëshmi të tilla, me akuza të tilla, do t’i pranonin ose hidhnin dhe pse. Kjo pyetje kuptohet nuk do ta ndryshojë vendimin e Gjykatës Lokale, por do të përgjigjet në pyetjen lidhur me përndjekjen politike në Maqedoni”, ka shkruar Gruevski.
Në letër Gruevski ka cekur edhe një propozim tjetër, nëse i pari për Hahn, Mogherinin, Mijatoviqin dhe Dollin nuk pranohet. Ai ka kërkuar që Bashkimi Evropian të dërgojë mision në Maqedoni.