Kryeprokurori i Lushnjës, Arben Dyla është shkarkuar nga detyra. Vendimi u dha sot nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërsa Dyla është prokurori që u gjend në zyrën e kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushe, në momentin që Policia e arrestoi atë me urdhër të SPAK-ut pas dyshimeve për shpërdorim të detyrës, rezulton të jetë hetuar vetëm në një kriter, atë të pasurisë.
Trupa gjykuese, e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Suela Zhegu dhe Firdes Shuli ngriti pikëpyetje të forta në lidhje me pasurinë e kreut të Prokurorisë së Lushnjës. Dyla e ka filluar karrierën si prokuror në vitin 2001 në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Mat.
Në vitin 2008 ai është transferuar për të kryer funksionin në Prokurorinë e Lushnjës. Sipas Komisionit, prokurori ka dhënë 50 mijë euro me interes 2 për qind, një biznesmeni për një periudhë prej 5 vitesh.
Sipas kontratës të lidhur mes palëve në vitin 2016, deri në fund të vitit 2021, biznesmenit duhet t’i kthente Dylës shumën prej 110 mijë eurosh. Si garanci për shlyerjen e shumës, ai kishte lënë një apartament, në të cilin jetonte prokurori, çka bëri të ngriheshin dyshime për një kontratë fiktive.
Ndërsa, u ngritën pikëpyetje lidhur me burimin e parave, Dyla deklaron pagën e tij dhe të bashkëshortes. Prokurori i kundërshtoi gjetjet e komisionit dhe kërkoi rihapje të hetimit administrativ, ndërsa këmbënguli që të hetohej edhe në dy kriteret e tjera.
Trupi gjykues i KPK-së që po kryen vetingun për kryeprokurorin e Lushnjës, Arben Dyla, kryesohet nga Brunilda Bekteshi, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Suela Zhegun. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte dje i pranishëm Francesco Ciardi. Relatorja e çështjes, Firdes Shuli tha në fillim të seancës se hetimi administrativ për prokurorin Dyla është përfunduar vetëm për kriterin e pasurisë.
Dyla ka sqaruar se, biznesmeni kishte vendosur si garanci për huanë një apartament me sipërfaqe 150 m2 në Kavajë në proces legalizimi.
Ai ka shtuar se së bashku me këtë pasuri, A.K. kishte porositur tek një shoqëri ndërtuese edhe disa prona të tjera që në vlerën totale kapin shifrën 500 mijë euro.
Komisioni vlerësoi se çmimi i apartamentit të lënë si garanci kap vlerën 116 mijë eurove, që është e përafërt me shumën e dhënë hua prej subjektit 50 mijë euro +60 mijë euro që pritet të përfitojë nga interesat.
Bazuar edhe në deklarimet e subjektit, ai jeton prej vitit 2016 në apartamentin e lënë si garanci, pa kundërshpërblim.
(E.K/Faxweb.al)