Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ka reaguar lidhur me përplasjen e disa ditëve më parë mes drejtuesit të këtij Instituti Agron Tufa dhe deputetit socialist Spartak Braho. (Lexo edhe ketu)
Lidhur me akuzat e Brahos se ky institut nuk ka nxjerrë asnjë dokument shkencor, ISKK shprehet se në total nga 2010, vit kur ka nisur puna janë botuar më shumë se 100 libra dhe studime.
‘’Deputeti Braho ndjek mendësinë e urrejtjes klasore kundër atyre luftëtarëve antifashistë, por që nuk ishin pjesë e partisë komuniste. Ai siç duket qartë nuk ka lexuar asnjë nga botimet e Institutit tonë dhe të kolegëve të tjerë dhe shpreh veçse urrejtje për ballistët, legalistët, veprimtarët e pavarur jokomunistë që kanë luftuar dhe janë vrarë për Shqipërinë”, shprehet mes të tjerave Instituti.
Po asht ISKK i quan të papranueshme deklaratat e Brahos se:”Paraardhësit e mi i kanë larë hesapet me ballistët këtu e 75 vjet më parë. Por edhe unë i kam larë hesapet me pinjojtë e ballistëve njëherë e mirë”
Reagimi i plotë:
Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK), Bordi Drejtues dhe Këshilli Shkencor i tij, është i shqetësuar nga deklaratat që deputeti i Partisë Socialiste Spartak Braho i bëri me 1 prill 2019 Institutit tonë dhe drejtorit ekzekutiv z. Agron Tufa. Deputeti Spartak Braho shfrytëzoi sallën e Kuvendit në senacën e Komisiont të Ligjeve, për të bërë akuzat e tij pa fakte, pa baza, pa referenca ndaj institutit dhe zotit Tufa për “mllef dhe helm”, për “nxirje të luftës, të heronjve dhe të dëshmorëve”. Sipas deklarimeve të papërgjegjshme të Brahos, sipas të cilave Raporti i ISKK përmban një gjuhë urrejtjeje, theksojmë, se jo vetëm Raporti, por edhe gjithë puna e veprimtaria e ISKK nuk kanë asnjë gjurmë urrejtjeje ndaj kurrkujt. Në të vërtetë, gjuha e urrejtjes dhe e mllefit gjendet te deklaratat e Spartak Brahos.
Instituti ynë gëzon statusin e institucionit qëndror e të pavarur, siç e përcakton ligji nr 10242, i hartuar nga Kuvendi. Detyrat ligjore dhe ato që na ngarkon Rezoluta e Kuvendit, janë detyrat kryesore të punës studimore dhe dëshmuese të ISKK-së.
Qysh nga krijimi i tij më 2010, ISKK ka botuar mbi 100 libra dhe studime. Vetëm gjatë vitit 2017-2018 janë botuar 34 tituj veprash (studime, albume, memuare, fjalorë enciklopedikë, filma dokumentarë, muze virtuale 3D, konferenca e tubime shkencore etj.), pjesa më e madhe e tyre e bazuar mbi dokumente arkivore dhe mbi një analizë shkencore, pa asnjë anësi politike apo lidhje me partitë politike, siç pretendon deputeti Braho.
Në studimet dhe botimet e ISKK kanë zënë vend ngjarje dhe figura patriotike, si ato të luftës së dytë botërore, ashtu dhe të periudhës së regjimit komunist, të trajtuara me vërtetësi historike. Janë bërë vlerësime historike mbi protagonistë të Luftës Nacional-Çlirimtare si Mustafa Gjinishi, Ymer Dishnica, Shefqet Beja, Gjergj Kokoshi, Riza Dani etj., por edhe për figurat nacionaliste si Muharrem Bajraktari, Gani Kryeziu e Abaz Kupi, që kanë luftuar edhe kundër italianëve edhe kundër gjermanëve, sikundër edhe figurat antifashiste si Hysni Lepenica, që u vra nga italianët bashkë me 36 komandantë nacionalistë, Skënder Muço, Yzeir Ismaili dhe Zako Mezini, që u pushkatua nga nazistët gjermanë, por dhe për dhjetëra të tjerë, për të cilët janë bërë studime nga Instituti ynë.
Deputeti Braho ndjek mendësinë e urrejtjes klasore kundër atyre luftëtarëve antifashistë, por që nuk ishin pjesë e partisë komuniste. Ai siç duket qartë nuk ka lexuar asnjë nga botimet e Institutit tonë dhe të kolegëve të tjerë dhe shpreh veçse urrejtje për ballistët, legalistët, veprimtarët e pavarur jokomunistë që kanë luftuar dhe janë vrarë për Shqipërinë.
Braho e konsideron ISKK si një “seksion i partisë së Ballit Kombëtar” ngaqë zbardhim të vërtetat historike për viktimat më të pafajshme të regjimit komunist, si shkencëtarja e parë shqiptare Sabiha Kasimati, shkrimtarja e parë shqiptare Musine Kokalari, partizania e re dhe publicistja e talentuar, Ramize Gjebrea, etj. Po mijëra e mijëra viktima të pushkatuara pa gjyq, të dërguara pa gjyq në kampet e përqendrimit dhe internimit, edhe ata i quan ballistë Spartak Braho?
Gjatë akuzave nga selia e Kuvendit dhe në daljet mediatike më 2 prill 2019, deputeti Braho ka njollosur dhe ka fyer një pjesë të madhe të shoqërisë shqiptare. Akuzat e Brahos janë veçanërisht të rënda dhe minojnë paqen e brishtë të shoqërisë sonë, duke cënuar unitetin kombëtar, sepse:
Së pari, deputeti Spartak Braho i paraqet gjithë ish-të përndjekurit politikë të Shqipërisë, si “humbës të luftës” dhe, pavarësisht se kjo nuk është aspak e vërtetë, me këtë ai justifikon plotësisht dënimin, izolimin, terrorin e pandërprerë komunist ndaj tyre dhe familjeve, burgjet dhe internimet, luftën e klasave dhe biografinë përndjekëse ndaj kësaj klase të shumëvuajtur, që dëshmoi fisnikëri e dinjitet, pa kërkuar “larje hesapesh” me persekutorët e tyre të tipit Braho me shokë. Sipas Brahos, tërë egërsia dhe arsenali i terrorit të ushtruar mbi këtë klasë është një gjë e drejtë dhe krejt e merituar për ta.Së dyti: deputeti Spartak Braho hedh akuzën fyese e poshtëruese, që e gjithë klasa e të Përndjekurve Politikë, gjithë ish-të Përndjekurit, kanë qenë “spiunë të njëri-tjetrit”.
Shprehimisht Braho thotë se: “…në praktikën e Sigurimit të Shtetit, spiunët rekrutoheshin nga familjet e klasës së Agron Tufës”. Po e lëmë mënjanë faktin, se i ati i zotit Tufa është dënuar pikërisht për mospranim rekrutimi, saktësisht për “moskallëzim të bisedave armiqësore dhe pengim të organeve hetuese”. Përqendrohemi në rrezikshmërinë e kësaj akuze denigruese, përmes së cilës, Spartak Braho, një ish-gjykatës gjatë regjimit komunist, i cili ka dhënë dënime të rënda me burg për minorenë e njerëz të pafajshëm, siç rezulton nga dokumentet e botuara publikisht nga drejtori i ISKK, Agron Tufa. Braho përpiqet të instalojë përmes shtypit një imazh përkeqësues në publik për ish-të përndjekurit politikë të Shqipërisë, duke cënuar rëndë qëndresën e kundërshtimit të diktaturës komuniste në vendin tonë.
Së treti: deputeti Braho bën thirrje, që kjo luftë duhet vazhduar nën shembullin e tij, kur shprehet, se: “Paraardhësit e mi i kanë larë hesapet me ballistët këtu e 75 vjet më parë. Por edhe unë i kam larë hesapet me pinjojtë e ballistëve njëherë e mirë”. Sipas Brahos, baballarët e ish të dënuarve politikë ishin humbës përballë baballarëve “tanë” dhe “unë gjithmonë kam qenë fitues përballë fëmijëve të tyre dhe do të jem gjithmonë”.
Por në gjykimin e sotëm kolektiv, brenda e jashtë vendit, të Përndjekurit Politikë, antikomunistët, nuk e humbën as luftën antifashiste, as moralin e kësaj lufte. Humbësit e vërtetë të luftës, siç u pa bindshëm, janë komunistët dhe fronti ideologjik komunist, ku shërbeu si gjykatës i zellshëm edhe Spartak Braho. Gjykoni pasojat e atij rrënimi 45-vjeçar.
Parlamenti i parë pluralist shqiptar u ka kërkuar ndjesë të persekutuarve politikë për pushkatimet, dënimet dhe internimet e tyre të pamerituara, për persekutimin absurd 45-vjeçar, dhe qeveritë demokratike shqiptare të pas vitit 1991 ua kanë njohur atyre pafajësinë, u kanë kërkuar ndjesë në emër të shtetit. Përndryshe pse kompensohen dhe dëmshpërblehen? Sipas deputetit Braho, bijtë e nipat e ish-komunistëve duhet të vazhdojnë ta thellojnë hendekun armiqësor të kundërvënies dhe persekutimit kundrejt bijve dhe nipave të ish-kundërshtarëve, “armiqve të klasës”, të pushkatuarve, të burgosurve dhe të internuarve politikë nga regjimi komunist. Çfarë quhet tjetër kjo, në mos përçarje shoqërore?
Konkulzion: Me këtë provokim prej nostalgjiku të diktaturës, deputeti Braho rikthen gjuhën e urrejtjes ndaj klasës së të përndjekurve politikë (që përbën mbi 30% të popullatës tonë), dhe mundohet të paraqesë në publik një imazh të përgjithshëm të ish të persekutuarve politikë, si njerëz që nuk meritojnë asnjë fije dinjitet, nderim e përvujtni.
Spartak Braho kërcënon publikisht me arrogancë dhe egërsi pushtetari drejtorin e Institutit, zotin Agron Tufa, krejt në frymën famëkqe të Pleniumeve të KQ të PPSH, ku demaskoheshin dhe priteshin koka. Ai e kërcënon z. Tufa me “shkarkim, deri sa t’i thërrasë mendjes dhe të jetë i ekuilibruar në veprimtarinë e tij”. ISKK ka punuar e punon me përkushtim e profesionalizëm për zbardhjen e krimeve të komunizmit në zbatim të ligjit, të Rezolutave të Këshillit të Europës dhe Rezolutave të Paralamentit shqiptar, duke i sjellë vlera me punën e tij dhe të stafit, shoqërisë shqiptare, dekomunistizimit të vendit, historisë dhe rishikimit të saj nën dritën e fakteve dhe përvojave konkrete.
Bordi Drejtues dhe Këshilli Shkencor i ISKK i bëjnë thirrje Komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kryetarit të Parlamentit shqiptar të distancohen nga këto prirje të rrezikshme e raciste të deputetit Spartak Braho. Ato ne i konsiderojmë thirrje të mirëfillta recidiviste, që synojnë ta kredhin edhe njëherë shoqërinë tonë në një horizont politik e social totalitar, si në pikun e izolimit komunist, në një kohë kur shoqëria jonë mëton të bëhet pjesë e familjes së Bashkimit Europian. I bëjmë thirrje, gjithashtu, shtypit dhe medias shqiptare të reagojë ndaj sulmit dashakeq që deputeti
Braho i bën ISKK dhe personit që e drejton këtë institut të pavarur. ISKK kërkon vëmendjen e vëzhguesve të organizatave e institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri, të shoqërisë civile dhe shoqatave për të drejtat e njeriut, të trupës së akredituar diplomatike në vendin tonë, për t’i paraprirë në të ardhmen, të gjithë së bashku, fermentimit të gjendjeve të rrezikshme emocionale nga segmentet e grupimet nostalgjike të diktaturës komuniste.