Në Tiranë u zhvillua sot parada e komunitetit LGBTQ+ ku komuniteti në fjalë kërkon të drejta të barabarta, të mos diskriminohen dhe bullizohen. Me pankarda në duar, ku thuhej “Liri barazi dhe siguri”, parda e komunitetit nisi nga qendra e kryeqytetit për të vijuar më pas në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. I pranishëm në paradë ishte dhe ambasadori i BE-së në Tiranë Silvio Gongato, i cili tha se nuk duhet që të ketë diskriminim ndaj këtij komuniteti.
“Çfarëdo lloj diskriminimi në gjuhë, në besim fetar, në mendim politikë ose mosha dhe çdo gjë tjetër përfshirë orientimin seksual është e ndaluar dhe për këtë arsye jam këtu sot. Jam i kënaqur që jam këtu edhe me miken time Albana. Albana e di që ke një punë të vështirë, por dua që të them sot se ne jemi këtu sot që të jemi përkrah jush dhe t’ju mbështesim, puna që bëni ju dhe ministria është e rëndësishme për anëtarësimin e vendit në BE. Dhe jemi këtu për të përmbushur ato angazhime për planin e veprimet për çështjet LGBT, duhet që të ketë qasje në shërbime që të jenë miqësore dhe të ketë mbrojtje më të mirë ligjore. Sepse çfarë ky komunitet kërkon nuk është dhembshuria, ky komunitet kërkon respekt”, tha Gonzato.
Pjesë e aktivitetit ishte dhe ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu e cila në fjalën e saj tha se nuk duhet që të ketë diskriminim ndaj këtij komuniteti dhe se çdo person është i lirë të zgjedh vet se si e jeton jetën e tij.
“Janë në zbatim plane veprime dhe nuk mjafton. Gjithkush ka të drejtë të ndihet i barabartë. Nuk duhet të ketë diskriminim për mënyrën se si jeton apo orientimin që ka një person. Nuk ka nevojë vetëm për strategji dhe plan veprimi, por ka nevojë edhe për një dialog të përbashkët dhe të përditshëm që çdo njeri duhet që të jetojë i lumtur dhe të zgjedh mënyrën e tij se si kërkon që të funksionojë në jetën e tij”, tha Koçiu.