Edhe pse opozita ka lajmëruar protestë në Bulevardin “Dëshmorët e kombit”, aleanca LGBT ka nisur protestën në orën 10 –të. Ata kanë marshuar me biçikleta, ku janë nisur nga Pallati i Kongreseve për të përshkuar disa segmente të kryeqytetit.
Më pas pjesëmarrësit janë drejtuar drejt “Çadrës së PD-së”, ku janë kthyer majtas në rrugën ”Ismail Qemali.”
Më pas janë futur në drejtim të zonës së ish-bllokut, ku kanë përshkuar rrugën ”Ibrahim Rugova” dhe ashtu siç ishte parashikuar kanë vazhduar përgjatë lumit të Lanës, dhe së fundmi janë kthyer tek ura në shkollën “Vasil Shanto”, ku kanë vazhduar përsëri përgjatë Lanës.
Dy organizatat kryesore në mbrojtje të të drejtave të komunitetit LGBTI në Shqipëri, zhvilluan pedalimin e 6 me biçikleta kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë.
“Ne kemi ndryshuar itinerarin tonë, parada jonë nis nga Pallati i Kongreseve për tu kthyer më pas tek Kuvendi, pa shkuar tek çadra. Nuk kemi asnjë punë me pjesën e çadrës, për të kaluar në Bllok tek ura e vogël e Bllokut do të kthehemi përgjatë Lanës dhe do të pedalojmë deri tek ura tjetër ku ndodhet Drejtoria e Policisë për tu kthyer sërish mbrapsht, për ta mbyllur në pikën e nisjes. Përveç komunitetit në çdo vit kemi një numër të madh miqsh që janë heteroseksualë dhe bashkohen me ne për të mbështetur miqtë që janë gay, familjarët e tyre që janë gay.”, u shpreh aktivistja Xheni Karaj
Pjesë e marshimit kanë qenë aktivistë nga i gjithë Rajoni. (B.H/Shuplaka)