Shqipëria përmbylli me sukses vlerësimin e GRECO-s për angazhimin intensiv në parandalimin e korrupsionit në qeverisjen qendrore dhe forcat e sigurisë. I pranishëm në aktivitet, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, në fjalën e tij u fokusua tek puna e bërë për sa i përket luftës dhe parandalimit të korrupsionit në strukturat e Policisë së Shtetit.
Sipas Hoxhës, ky raund i vlerësimit të GRECO-s është dëshmia më e qartë e një angazhimi tejet serioz të Policisë së Shtetit.
“Ky raund vlerësimi i GRECO – (i përmbyllur me sukses për vendin tonë, me 24 rekomandime, gjysma e të cilëve janë fokusuar në vlerësimin e imtësishëm të performancës së Policisë së Shtetit), – është dëshmia më e qartë e një angazhimi tejet serioz të institucioneve tona të sigurisë, përkatësisht, Policisë së Shtetit. Përmbushja e rekomandimeve është rezultati faktik i gjithë përpjekjeve, për të forcuar çdo hallkë integriteti në Policinë e Shtetit, agjencinë më të madhe ligjzbatuese në vend”, tha Hoxha.
Hoxha bëri një përmbledhje të disa prej akteve që Ministria e Brendshme ka ndërmarrë në drejtim të luftës dhe masave për parandalimin e korrupsionit.
“Së pari, në përmbushje dhe zbatim të rekomandimeve të GRECO-s, në prioritetet vjetore të Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të varësisë, janë planifikuar masa dhe aktivitete konkrete, që përfshijnë ndryshime strukturore, hartim aktesh ligjore e nënligjore, inicim procesesh të reja pune në institucion, si dhe trajnime të vazhdueshme”, tha Hoxha.
“Specifikisht dua të përmend këtu ligjin “Për Policinë e Shtetit”, miratuar në korrik 2024, i cili është i bazuar në modelet më të mirat të njësive homologe, duke adresuar plotësisht çdo rekomandim të GRECO. I gjithë ky proces është zhvilluar me asistencën më të mirë të BE-së dhe Këshillit të Evropës. Gjej rastin këtu t’i falënderoj për mbështetjen proaktive dhe për mënyrën shumë profesionale, me të cilën na bashkëshoqërojnë në rrugëtimin e forcimit të sigurisë”, u shpreh Hoxha.
Ministri Hoxha shtoi se “Ministria e Brendshme dhe institucionet e varësisë kanë miratuar dhe zbatuar Planet e Integritetit për periudhën 2022 – 2024. Në përfundim të periudhës 3-vjeçare, Ministria e Brendshme ka nisur punën për hartimin e Planit të ri të Integritetit dhe Planit të Veprimit për periudhën 2025 – 2028. Dokumenti i ri do të shërbejë si një udhërrëfyes për forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe standardeve etike në strukturat e Ministrisë së Brendshme, në luftën kundër korrupsionit dhe promovimin e integritetit institucional”.
“Së treti, me mbështetjen e projektit EU4LEA është hartuar një analizë e kuadrit ligjor për të kufizuar rreziqet e korrupsionit dhe konfliktit të interesit në lidhje me donacionet dhe sponsorizimet për Policinë e Shtetit. Gjetjet e kësaj analize janë reflektuar në ligjin e ri “Për Policinë e Shtetit”, që ndalon pranimin e donacioneve nga subjekte të ndryshme”, shtoi ministri.
Sipas Hoxhës, “Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë bashkëpunuar ngushtësisht me Këshillin e Europës për adresimin e rekomandimit të GRECO-s për përmirësimin e politikave për ofrimin e shërbimeve shtesë nga Policia e Shtetit duke marrë parasysh rreziqet për korrupsion dhe konfliktin e interesit”.
Hoxha tha se “Policia e Shtetit ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në forcimin e etikës dhe integritetit profesional me miratimin e Manualit të Etikës Policore, që përmban udhëzime të qarta mbi parimet e etikës, integritetin, konfliktin e interesit dhe vendimmarrjen etike, duke përfshirë shembuj konkretë për situata të ndryshme”.
Një tjetër arritje e rëndësishme, sipas Hoxhës, “është krijimi i Këshillave Konfidencialë të Policisë së Shtetit, të cilat do të ofrojnë këshillim konfidencial për punonjësit mbi etikën, integritetin, konfliktin e interesit dhe procedurat disiplinore”.
“Në zbatim të ligjit të ri, përzgjedhja e drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit është realizuar sipas kritereve ligjore të përcaktuara, përmes një konkurrimi transparent, ku shpalljet dhe rezultatet janë bërë publike”, shtoi më tej Hoxha.
“Së fundi, në zbatim rekomandimit të GRECO-s edhe punonjësit e “Illyrian Guard” u nënshtrohen të njëjtave masa ligjore dhe rregullatore si punonjësit e Policisë së Shtetit, në procedurat e prokurimit publik dhe të rekrutimit të personelit sipas kuadrit ligjor në fuqi”, tha ministri.
Ministri theksoi se këto “arritje janë një dëshmi e angazhimit të palëkundur në nivel politikëbërjeje nga i gjithë aparati i Ministrisë së Brendshme si dhe, – në nivel zbatimi – nga Policia e Shtetit”. “Ambicia jonë është që të jemi pjesë e një procesi përsosjeje dhe vetëpërmirësimi të vazhdueshëm”, tha ministri.