Ares Ypi kandidat në listat e PD dorëzoi disa ditë më parë formularin e vetëdeklarimit në KQZ dhe pritej miratimi, që ky i fundit të merrte mandatin e deputetit.
Ditën e sotme Ypi ka dërguar një tjetër kërkesë në KQZ duke bërë me dije këtë institucion se heq dorë nga ky proces.
Ai ka shkruar se gjithçka ka qenë një keqkuptim pasi kishte menduar se ishte një detyrim ligjor dorëzimi i formularit.
“Kurrësesi formularin e Vetëdeklarimit nuk e kam paraqitur për efekt të marrjes së mandatit të deputetit, efektin juridik të së cilit e kam kuptuar më vonë. Ashtu siç ju kam bërë me dije edhe më parë, nisur nga rrethanat në të cilat ndodhet vendi, nuk pranoj zgjedhjen apo mandatin e deputetit për në Kuvendin e Shqipërisë,” shkruan Ypi ndër të tjera në kërkesë.
Ypi ka sqaruar nëpërmjet një letre që do ishte krenar që të përfaqësonte qytetarët në Parlament por shton se sot Kuvendi nuk i përfaqëson ata dhe se pajtohet plotësisht me djegien e mandateve nga PD.
“Në një situatë normale, ky do ishte një privilegj i jashtëzakonshëm, për të përfaqësuar interesat e demokratëve dhe qytetarëve në Kuvendin e Shqipërisë.
Por, sot Kuvendi nuk përfaqëson qytetarët, nuk është i zgjedhur nga qytetarët, dhe nuk mund të shërbejë si forum për të mbrojtur interesat e qytetarëve. Gjithmonë kam vlerësuar se vendimi i Partisë Demokratike për djegien e mandateve, ishte vendimi më i drejtë që ka marrë Partia që nga dita e themelimit. Ne demokratët, nuk mund të jemi fasadë në Kuvend, të një Qeverie ilegjitime dhe të një Kuvendi jo funksional, të dalë nga zgjedhje të blera dhe diktuara nga paratë e krimit.” shkruan Ypi.