Ish deputeti i Partisë Socialiste Koço Kokëdhima ka bërë një parashikim goxha befasues gjatë takimit të tij me socialistët e Tiranës.
Sipas tij nëse vazhdon e njëjta situatë politike, në 10-20 vitet e ardhshme në vend do të ngelen vetëm pleqtë dhe të sëmurët pasi të tjerët do të largohen në shtete të tjera.
“Shteti ynë s’di të bëjë asnjë punë tjetër përveç se të marrë borxhe joefektive, të bëjë tendera të manipuluar e të japë koncensione turpëruese për interesat e ekonomisë tonë. Vendi ynë nuk është më tërheqës për investime. Mbi 60 mijë forca të afta emigrojnë çdo vit. Të gjithë të rinjtë janë gati të ikin nga Shqipëria me mundësinë e parë që t’u krijohet. Ky eksod dramatik ka prekur edhe shqiptarët e trevave të tjera në Ballkan.
Çfarë do të ndodhë në 10-20 vitet e ardhshme nëse kjo situatë do të vazhdojë kështu? Shqipëria do mbetet me 1,2 deri 1,4 milionë njerëz, kryesisht me pleq dhe të sëmurë, apo të paaftë e injorantë, padyshim edhe me të korruptuar e kriminelë dhe me një dyzinë me leshko e intrigantë të rregjimit. Do t’i kemi këtu edhe kryetarët e lumtur e të përjetshëm të partive të cilët, do u fanepsen njerëzve edhe në gjumë, do u dalin përpara në çdo çast, jo vetëm sa herë që të hapin televizorët, por edhe kur të hapin frigoriferët!”, tha Kokëdhima gjatë fjalimit të tij.
Sipas ish-deputetit, zhvillimi i Shqipërisë po mbahet peng nga politikanët.
“Zhvillimi i Shqipërisë mbahet peng nga problemet e pazgjidhura në vite. Ekonomia e vendit është në gjendje të mjerë. Pronës publike duket se i është shpallur luftë. Edhe ajo që ka mbetur vidhet e keqmenaxhohet. Në nstitucionet e shtetit ka kaq shumë tutkunë, kusarë e dembelë, zyrtarë arrogantë e të paskrupullt. Gjithë njerëzit e mirë që kanë mbetur në administratë, duken si të leshtë në këtë mjedis dëshpërues që sundon.”, shton Kokëdhima.
Gjatë takimit të sotëm, ish-deputeti bëri publike nismën e tij më të re politike. “Unë jam zgjidhja” është emri i lëvizjes brenda partisë socialiste, që do të drejtohet nga vetë Kokëdhima. (D.D/Shuplaka)