Kryetari i komunës së Podujevës, njëherit anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi parashihej që javën e ardhshme të vizitojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por njëjtë si bashkëpartiakja e tij, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk do ta ketë të mundur që ta realizojë një gjë të tillë.
Nacionale nga burime të saj ka mësuar se kryetarit Bulliqi, për të njëjtat arsye si ministres Haxhiu, i është anuluar vizita atje.
Në lidhje me këtë çështje, Nacionale ka kontaktuar me zëdhënësin e komunës së Podujevës, z.Fatri Zhitia, i cili konfirmoi se vizita është shtyrë.
Pyetur nga Nacionale nëse e njëjta është vendosur për një kohë tjetër nga SHBA-të, z.Zhitia tha se sipas informacioneve që ai posedon, kërkesa i ka shkuar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
“Takimin e ka shty ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, pasi që me sa kam informacione kanë patur me marrë pjesë edhe disa komuna të tjera. Kryetari ka apliku për vizë amerikane, i është lëshu viza për pesë vjet, ka qenë i planifikum takimi për javën e ardhshme. Por sipas informacioneve që i kam unë, ministri Elbert Krasniqi ka kërku që vizita me u shty”, tha ai.