Nëse është e vërtetë që nuk ka dy pa tre, atëherë Zinedine Zidane së shpejti do të stërvitë PSG-në. Ndonëse shumica e mediave franceze javë më parë kishin shpjeguar se “Zizou” nuk kishte ndërmend të pranonte stolin e PSG për shkak se synonte të ulej në atë të kombëtares franceze, ka një gazetar që mendon ndryshe.
Dhe mendimi i tij sigurisht që nuk mund të konsiderohet i parëndësishëm. Është në fakt Daniel Riolo, ai që para të tjerëve kishte parashikuar ardhjen e Messit te PSG dhe gjithashtu rinovimin kundër të gjitha pritshmërive të Mbappe.
Tani ai ka folur për të ardhmen e Zidane dhe këtë e ka bërë në programin e tij “After RMC”, duke thënë se trajneri francez do ta drejtojë klubin parizien sezonin e ardhshëm. Në të kaluarën e afërt, të paktën dy (shumë të mëdha) nga thashethemet e tij në merkato kanë rezultuar të vërteta. Ky do të ishte përfundimisht i treti.
NEGOCIATAT – Siç e parashikoi “Mundo Deportivo”, takimi ballë për ballë mes presidentit të PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, dhe trajnerit francez Zinedine Zidane tashmë ka ndodhur. Një takim që u zhvillua duke përfituar nga qëndrimi i Zidane në kryeqytetin parizien për të ndjekur ‘live’ finalen e Champions League.
Një takim që ka lënë ende gjëra për t’u mbyllur përpara një marrëveshjeje të mundshme dhe përfundimtare mes dy palëve. Një takim ku klubi parizien ka hedhur në tavolinë ofertën që ish-trajneri i Real Madridit të marrë drejtimin e skuadrës pariziene. Propozimi është rreth 25 milionë euro neto në sezon. Kjo do ta vendoste trajnerin francez si më të paguarin në botë, mbi Diego Simeone, i cili aktualisht merr 24 milionë në sezon, apo 23 milionët e Pep Guardiolës.
Një shumë që nënkupton praktikisht dyfishimin e pagës që ai merrte në fazën e fundit në krye të Real Madridit, kur nënshkroi një kontratë me një normë fitimi prej 13 milionë euro neto për sezon. E vërteta është se nga ky takim nuk ka dalë asgjë e sigurt dhe të dyja palët kanë rënë dakord që nëse është e nevojshme të takohen sërish për të vazhduar avancimin.