Dy vëllezër janë arrestuar nga ana e Policisë së Tiranës, dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi kishin mbjellë një parcelë me kanabis. Po ashtu nga ana e policisë është proceduar dhe kryebashkiaku i Ndoqit.
Njoftimi i policisë:
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Planin e Veprimit, për marrjen e masave për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, duke ushtruar kontroll periodik të territorit, si dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për disa shtetas që përgatiteshin për të kultivuar bimë narkotike në zonën e quajtur “Përroi i Bllomes” në pyllin e fshatit Mënik është organizuar dhe zhvilluar operacioni i koduar “Lugina 2”.
Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
– M. G., 17 vjeç, banues në fshatin Mënik/Ndroq
– T. G., 35 vjeç, banues në fshatin Mënik/Ndroq
U shpall në kërkim dhe po punohet intesivisht për kapjen e shtetasit:
– E. G., 37 vjeç, banues në Mënik/Ndroq (të tre vëllezër).
Gjithashtu u procedua në gjëndje të lirë kryeplaku i njësisë administrative Ndroq, shtetasi:
– S. B., 61 vjeç, banues në fshatin Mënik/Ndroq.
Gjatë operacionit në territor në vendin e quajtur “Përroi i Bllomes”, në pyllin e fshtatit Mënik në Njësinë Administrative Ndroq u evidentuan fidanë kanabis tē kultivuara në tokë.
Materialet procedurale u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Tiranë për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim”, në ngarkim të shtetasve M. G., T. G., dhe E. G., dhe për veprën penale “Moskallzim krimi” në ngarkim të shtetasit” S. B.