Partia e Gruevskit VMRO-DPMNE i kërkon liderit të LSDM-së Zoran Zaev që të heqë dorë nga Platforma shqiptare, të cilën e cilëson si rrezik për sovranitetin e shtetit.
Në një njoftim për mediat, VMRO-DPMNE përmend edhe deklaratat e deputetes Mesila Doda të një dite më parë.
“Piter Vanhojte, duke shpalosur qëllimet e Zaevit, ka hapur debat për federalizmin e Republikës së Maqedonisë. Për këtë deklaratë skandaloze të Vanhojtes, LSDM-ja hesht, ashtu siç hesht edhe për deklaratat shokante të deputetes shqiptare Mesila Doda, e cila në mënyrë direke u kërcënua se në rast se ai heq dorë nga Platforma, atëherë të gjithë shqiptarët do të angazhohen rreth realizimit të ëndrrës për Iliridën”, thuhet në njoftim.
“Heshtën edhe kur Ziajdin Sela e mohoi identitetin maqedonas, duke theksuar se para 100 viteve nuk kanë ekzistuar maqedonasit në këto hapësira”, vazhdon njoftimi.
“Do të them dy fjalë për një krahinë që më rrinë fortë në zemër, është vendi karshi, Ilirida, krahinë e moçme shqiptare që edhe emrin sot ia kemi harruar. Dikush i thotë Maqedoni, dikush i thotë FYROM, ne i themi Ilirida!”, deklaroi Mesila Doda në Dibër pak ditë më parë. Deklarata të cilat i vazhdoi edhe dje në çadrën e opozitës. (D.D/Shuplaka)