Partia Zgjidhja me anë të një deklarate për mediat ka reaguar për ecurinë e Reformës Zgjedhore në vend.
Partia Zgjidhja thekson se sipas deklaratave zyrtare të përfaqësuesve të PS në KQZ dhe të ekspertëve pranë Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, sinjalet janë që PS dhe PD kanë bërë tashmë marrëveshjen për të shkuar në zgjedhje me disa ndryshime kozmetike të Kodit Zgjedhor.
“Partia “Zgjidhja” do të konsultohet me partitë e tjera të tryezës për zgjedhje të lira dhe shumë shpejt do të informojë ambasadat e Bashkimit Evropian dhe SHBA për planet ogurzeza të PS dhe PD për manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme. Populli shqiptar duhet të marrë në dorë fatin e tij dhe të kërkojë më forcë zgjedhje të lira, ku të garantohet barazia dhe liria e ushtrimit të kësaj të drejte politike, të rrëmbyer e grabitur nga mafia e partive të vjetra.”- përmbyll partia Zgjidhja Deklaratën.
Deklarata e plotë
Nga Brukseli vijnë njëri pas tjetrit dy lajme, njëri njofton se PS dhe PD e kanë gati “reformën zgjedhore” që do ta shpallin për Krishtlindje dhe, tjetri që kërkon të bëhet reformë elektorale gjithëpërfshirëse, sipas të gjitha rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it. Në fakt, sipas deklaratave zyrtare të përfaqësuesve të PS në KQZ dhe të ekspertëve pranë Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, sinjalet janë që PS dhe PD kanë bërë tashmë marrëveshjen për të shkuar në zgjedhje me disa ndryshime kozmetike të Kodit Zgjedhor.
“Parlamenti Evropian kërkon masa veprimi dhe legjislative, administrative, të cilat adresojnë rekomandimet e jashtëzakonshme të Zyrës për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE/ODIHR); nënvizon se nevojitet reforma zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe në kohë me qëllim rritjen e besimit të publikut në procesin zgjedhor”.
Këto theksohen në rezolutën e miratuar dje për Shqipërinë në PE. Kjo është edhe kërkesa bazë e iniciuar nga Partia “Zgjidhja” dhe tryeza e partive për zgjedhje të lira dhe të barabarta. Më konkretisht, Parlamentin Evropian e qartëson se duhet depolitizim i administratës zgjedhore, pra nuk mund të bëhen zgjedhjet me këtë KQZ dhe me këtë përbërje komisionesh partiake në zona dhe në qendrat e votimit.
“Parlamenti Evropian kujton nevojën për t’u kushtuar vëmendje të duhur pretendimeve për financim të paligjshëm dhe të padeklaruar të partive politike; mirëpret punën e Komitetit Ad-hoc, për Reformën Zgjedhore të Parlamentit Shqiptar, lidhur me pavarësinë dhe depolitizimin e administratës zgjedhore, transparencën në financimin e fushatës, regjistrimin e votuesve, blerjen e votave, përdorimin e teknologjive të reja të votimit dhe votimin jashtë vendit, si dhe i kërkon atij që të arrijë konsensus dhe të miratojë reformat e nevojshme në kohën e duhur para zgjedhjeve vendore të vitit 2019”. Pra, siç thuhet qartë në këtë rezolutë, në zgjedhjet vendore nuk mund të shkohet me këtë sistem elektoral të korruptuar, që ligjëron manipulimin e votave nga dy partitë e mëdha dhe shtrembëron vullnetin e popullit. Partia “Zgjidhja” konstaton se ka një diferencë të madhe mes direktivës së Parlamentit Evropian dhe qëndrimeve të Zyrës së OSBE-së në Tiranë.
Diplomatët e kësaj organizate këtu në Tiranë po mbyllin sytë ndaj paktit PS-PD për ta shtyrë reformën zgjedhore në kalendat greke dhe për të bërë vetëm disa ndryshime sipërfaqësore në Kodin Elektoral. Synohet që të mbahen larg reformës zgjedhore partitë e tjera dhe të bëhen ndryshime të minutës së fundit, që konkretizojnë pazaret mes Shqupit dhe Rilindjes për të ndarë dhe paracaktuar në tavolinë rezultatin e zgjedhjeve vendore 2019. Partia “Zgjidhja” do të konsultohet me partitë e tjera të tryezës për zgjedhje të lira dhe shumë shpejt do të informojë ambasadat e Bashkimit Evropian dhe SHBA për planet ogurzeza të PS dhe PD për manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme. Populli shqiptar duhet të marrë në dorë fatin e tij dhe të kërkojë më forcë zgjedhje të lira, ku të garantohet barazia dhe liria e ushtrimit të kësaj të drejte politike, të rrëmbyer e grabitur nga mafia e partive të vjetra.
Discussion about this post