Përfaqësuesit e rreth 30 partive politike, parlamentare, ose jo u mblodhë sot në një tryezë të përbashkët e me qëllimin kryesor unifikimin e qëndrimeve për reformën zgjedhore dhe pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve në Shqipëri. Kreu i ZGJIDHJA-s, Koço Kokëdhima, Kreu i PAA-së, Agron Dukea, kreu i PDS-së, Paskal Milo dhe shumë drejues të tjerë të partive politike në vend, të konsideruara të vogla, vendosën që të krijojnë frontin e bashkuara të partive politike opozitare. Në një njoftim shtypi të shpërndarë nga grupi drejtues, u theksua se reforma zgjedhore është e pakthyeshme, që ajo duhet të mbarojë deri në mars 2018, që ajo të udhëhiqet nga OSBE-ja, që partitë e vjetra të heqin dorë administrimi i zgjedhjeve, që kodi i ri zgjedhor duhet të garantojë identifikimin biometrik të zgjedhësit, votimin dhe numërimin elektronik. Sipas partive të vogla, reforma zgjedhore duhet të realizohet me transparencë dhe jo me pazar mes Rilindjes dhe PD-së dhe ato u bënë thirrje drejtuesve të PD-së dhe të LSI-së të mos flasin në asnjë rast në emër të opozitës shqiptare, por vetëm në emër të partive të tyre.
Deklarata e tryezës:
Përfaqësuesit e partive politike opozitare që luftojnë për pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve në Shqipëri, të mbledhura sot në një tryezë në Tiranë, me shqetësimin e thellë pse Shqipëria nuk ka arritur përparimin e duhur drejt demokracisë, deklaruan se ne jemi vendi i vetëm në rajon që nuk arrin të bëjë zgjedhje të lira, të barabarta dhe të ndershme. Tryeza e sotme e partive politike konstatoi se reforma zgjedhore është mëma e të gjitha reformave. Pa reformën zgjedhore, asnjë reformë tjetër nuk mund të japë rezultatet që dëshirojmë dhe presim. Kjo tryezë mori vendime dhe rekomandoi e miratoi propozimet si më poshtë:
1-Krijimin e një delegacioni me përfaqësues të partive politike dhe të shoqërisë civile që të fillojë një raund takimesh dhe konsultimesh për reformën zgjedhore me aktorët politikë, OSBE-në dhe ambasadorët e vendeve perëndimore në Tiranë. 2-Reforma zgjedhore duhet të udhëhiqet nga prezenca e OSBE-së. Kjo reformë duhet të përfundojë deri në 31 mars 2018 me qëllim që zgjedhjet vendore të vitit 2019 të reformohen. Pretendimi i qeverisë që e kushtëzon reformën me listat dhe të drejtën e votës së diasporës nuk ka bazë. Vota e diasporës nuk është e domosdoshme për zgjedhjet vendore. 3-Partitë e vjetra politike, duhet të heqin dorë nga administrimi i zgjedhjeve. Ato kanë kryer krime të rënda elektorale dhe kanë shkatërruar zgjedhjet e lira në Shqipëri. PD dhe Edi Rama duhet të kërkojnë ndjesë publike për krimet elektorale që kanë kryer ndër vite. Zgjedhjet shqiptare duhet t’i zhvillojë një administratë zgjedhore shtetërore, e pavarur dhe apartiake si në të gjitha vendet normale demokratike në Europë. Rilindja dhe PD-ja nuk mund të vazhdojnë të numërojnë votat e partive të tjera. 4-Kodi i ri zgjedhor duhet të garantojë identifikimin biometrik të zgjedhësit, votimin dhe numërimin elektronik. Ky kod duhet të ndalojë që listat zgjedhore të hartohen nga kryetarët e partive. Listat të mos dalin nga kryetarët, por të hartohen në rrugë demokratike, përmes zgjedhjeve primareve, me pjesëmarrjen e gjerë të militantëve të bazës, anëtarësisë së partive dhe qytetarëve të vendit. Kodi i ri elektoral duhet të garantojë realisht e plotësisht përmbushjen e të drejtës kushtetuese të çdo qytetari shqiptar për të zgjedhur e për tu zgjedhur lirsht. 5-Reforma zgjedhore duhet të realizohet me transparencë dhe jo me pazar mes Rilindjes dhe PD-së, përmes një procesi të hapur e gjithpërfshirës dhe jo përjashtues e në dëm të partive të reja. Drejtuesit e PD-së dhe LSI-së të mos flasin në asnjë rast në emër të opozitës shqiptare, por vetëm në emër të partive të tyre. Ato mund të flasin në emrin e frontit të opozitës së bashkuar vetëm kur të kenë edhe miratimin e tryezës sonë. 6-Kodi i ri zgjedhor duhet t’i shpëtojë zgjedhjet nga monopolet dhe oligopolet e partive të vjetra dhe nga paratë e krimit, korrupsionit dhe oligarkëve të lidhura me to. Ky kod duhet të garantojë jo vetëm lirinë e konkurencës dhe të përfaqësimit të qytetarëve, individëve dhe partive e grupimeve politike, por edhe përfaqësimin e drejtë me mandate në kuvend e në këshillat bashkiake të votës propocionale të popullit. 7-Tryeza falenderon atë pjesë të shoqërisë civile që është përfshirë në luftën për reformën zgjedhore dhe pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve dhe fton të gjithë shoqërinë civile dhe inteligjencën e vendit që t’i bashkohet kësaj kauze jetike për të ardhmen e Shqipërisë dhe për fatet e popullit.
(B.H/Shuplaka)