Partizani e mbylli me rrjeta të paprekura përballjen e parë në Ligën e Kampioneve ndaj Karabakut, në raundin e parë kualifikues. Ndaj një rivali të vështirë si kampionët e Azerbajxhanit, ‘Demat e Kuq’ rezistuan e madje rrezikuan të fitojnë në stadiumin Selman Stërmasi, por në fund merituan barazimin 0-0, që lë kualifikimin të hapur.
Ofensiva ishte në anën e miqve në startin e sfidës madje në minutën e 20 Ozoviç goditi tranversën në kuadratin e mbrojtur nga Hoxha. Në skajin tjetër Mensah dhe Asani ishin larg objektivit në tentativat e vakëta. Rastin ideal për të prishur ekuilibrat, Partizani e kishte pas pushimit.
Fillimisht Çinari provoi të kalojë ekipin në epërsi me një goditje me kokë ndërsa në zhvillimet e ofensivës, në një rivënie këndore, vetëm tranversa i mohoi golin Belicës. Deri në fund shifrat nuk ndryshuan, dhe rezultati përligji atë ç’ka u pa në fushë.
“Tani duhet të mendojmë që kemi edhe një ndeshje, atë vendimtare, ajo që bëmë sot duhet të na ndihmojë për besimin. duhet të përgatitemi mirë me bindjen se kualifikimi është i hapur. E dimë që është e vështirë por pas ndeshjes, kemi më shumë ambicie pasi gjithcka është e mundur”- tha Franco Lerda, trajneri i Partizanit.
Partizani arrin të ndalë një skuadër me buxhet të madh, dhe me eksperiencë në elitën e Champions dhe do të luajë shanset e tij në transfertë. Ndeshja e kthimit mes kampionëve të Shqipërisë dhe Karabakut do të zhvillohet në 17 Korrik në Baku.