Gjykata e Lartë në Turqi ka miratuar këtë të mërkurë ekstradimin në Shqipëri të Izet Haxhisë.
Ish-truproja i Berishës ndodhej në arrati i akuzuar si i përfshirë në vrasjen e Azem Hajdarit. Izet Haxhia isëhtë dënuar me 25 vite burg. Nga ajo kohë ai jetonte në Turqi me statusin e azilantit politik. Azem Hajdari u vra më 12 shtator 1998.
Haxhia ka folur për portalin Pamleti.com, pas vendimit të Turqisë për ta ekstraduar në Shqipëri.
Ai ka thënë se me këtë vendim fillon edhe kapja e “peshqve të mëdhenj”
“Gjykata e Lartë e Turqisë pas 12 vjetësh dha vendimin për ekstradimin tim në Shqipëri. Besoj se me këtë vendim fillon edhe kapja e “peshqve të mëdhenj” të krimit e korrupsionit 27 vjeçar në Atdhe”, është shprehur ai ndër të tjera.
Në lidhje me vrasjen e Azem Hajdarit ai tha se pret nga drejtësia shqipater që të jetë e pavarur
“Nga drejtësia e re shqiptare pres që të jetë e pavarur dhe të zbatojë ligjet në mënyrë korrekte dhe pa ndikime politike, pres që të rihapet çështja Hajdari pasi gjyqi i zhvilluar për atë çështje ka qenë komplet i manipuluar nga të dy krahët politikë dhe në bashkëpunim të plotë mes tyre është dhënë dënimi im i padrejtë.
Është e drejta ime ligjore që buron nga Konventa Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut që unë të gjykohem përsëri për një çështje për të cilën kam marrë dënim në mungesë pa patur mundësi të mbrohem dhe të dëshmoj të vërtetat që di në lidhje me atë vrasje dhe njerzit e implikuar në të”, tha ai.
Gjithashtu ish-truproja i Berishës tha se I qëndron atyre që ka thënë më parë për ish-kryeministrin.
I qëndroj të gjithave çfarë kam thënë deri më sot si për Berishën, ashtu edhe për çdo person tjetër dhe në qoftë se drejtësia e pavarur ma krijon mundësinë të dëshmoj para saj, unë do ta bëj këtë.
(B.H/Faxweb)