Armëpushimi në Gaza tani është në fuqi, tha në një deklaratë Zyra e Kryeministrit izraelit. Armëpushimi u vonua me pothuajse tre orë pasi Hamasi tha se kishte një vonesë “teknike” në dorëzimin e emrave të tre pengjeve që do të liroheshin në Izrael të dielën. Sulmet izraelite pas kohës së fillimit të armëpushimit të planifikuar fillimisht në orën 8:30 të mëngjesit (1:30 pasdite ET) vranë të paktën 13 palestinezë dhe plagosën 30, sipas zyrtarëve të spitalit dhe mbrojtjes civile.
Hamasi publikoi emrat e tre pengjeve që planifikon të lirojë sot, më shumë se dy orë pasi supozohej se kishte filluar armëpushimi në Gaza. Izraeli kishte thënë më herët se do të vazhdojë me sulmet derisa të marrë emrat.
Festimet shpërthyen në të gjithë territorin e shkatërruar nga lufta dhe disa palestinezë filluan të kthehen në shtëpitë e tyre, edhe pse vonesa nënvizoi brishtësinë e marrëveshjes. Marrëveshja vë në lëvizje një proces të gjatë dhe të pasigurt që synon përfundimisht t’i japë fund luftës dhe të kthejë gati 100 pengje të rrëmbyer në sulmin e Hamasit të 7 tetorit 2023 që e shkaktoi atë.