Pas tetë arrestimeve të kryera më 6 prill të këtij viti, ku u vunë në pranga 8 shtetas që kontrabandonin naftë nga shteti maqedonas dhe më pas e shisnin në Pogradec në mënyrë të paligjshme, është arrestuar edhe një tjetër pogradecar.
Në pranga ka rënë Ilir Kosturi, 54 vjeç, banues në Pogradec, i cili u kap në flagrancë teksa po shiste një sasi prej 520 litra naftë, sasi e dyshuar si kontrabandë.
Detaje të policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Porosia”.
Arrestohet në flagrancë një shtetas i cili kontrabandonte nga shteti maqedonas naftë, të cilën e depozitonte dhe tregëtonte në mënyrë të jashtëligjshme në Pogradec.
Specialistët e Sektorit kundër Krimit Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pogradec, në kuadër të procedimit penal nr 402 të vitit 2016, finalizuan me sukses operacionin policor e koduar “Porosia” si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit :
Ilir Kosturi, 54 vjeç, banues në Pogradec.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë në vijim të ngjarjes datë 06.04.2017, në të cilën u arrestuan në flagrancë 8 shtetas të cilët kontrabandonin naftë nga shteti maqedonas dhe më pas e shisnin në Pogradec në mënyrë të paligjshme.
Nga ana e strukturave të lartpërmendura ky procedim është ndjekur duke përdorur metoda speciale të hetimit, filmimit dhe vëzhgimit, të cilat janë autorizuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Pogradec.
Ky shtetas u kap në flagrancë duke shitur një sasi prej 520 litra naftë, sasi e dyshuar si kontrabandë e cila së bashku me një sasi lekësh dhe një aparat celular iu bllokua në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprat penale: “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” parashikuar nga nenet 172, 178, 179 të Kodit Penal.
(XH.A/SHUPLAKA)