Presidenti i SHBA Donald Trump tha të premten se foli me homologun e tij kinez Xi Jinping dhe diskutoi “me hollësi të madhe” pandeminë e koronavirusit, e cila deri më tani ka vrarë më shumë se 24,000 njerëz në të gjithë botën.
“Kina ka kaluar shumë dhe ka arritur një njohje të madhe mbi virusin,” tha Trump në Twitter. “Ne po punojmë ngushtë së bashku.”
Televizioni shtetëror kinez gjithashtu raportoi të premten se dy krerët e shtetit folën përmes telefonit, por nuk zbuluan menjëherë detaje rreth asaj që u diskutua gjatë thirrjes.
Fillimisht presidenti Trump fajësoi Kinën për përhapjen e virusit, por mesa duket tashmë akuzat janë sheshuar dhe të dy liderët po ndajnë eksperiencat, në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje sa më parë për të ndalur përhapjen e mëtejshme të kësaj pandemie.
SHBA-të dhe veçanërisht New Jorku është duke u përballur me një numër shumë të lartë të infektuarish dhe viktimash në ditë, çka ka bërë që të mbyllen kufijtë, dhe shtetet të kalojnë në karantinë.
(E.K/Faxweb.al)