Detaje të reja janë zbuluar nga ngjarja e rëndë që ndodhi në lezhë, ku një vajzë 24-vjeçe kaplagosur me thikë të riun, pas një konflikti mes tyre.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në lagjen “Besëlidhja”, në rrugën pranë bllokut të shkollave. Sipas informacioneve, mësohet një vajzë 24 vjeçe me inicialet F. M., ka plagosur me thikë shtetasin Anton Shyti nga fshati Barbullojë.
Nga goditjet me thikë, i riu ka marrë disa plagë në trup dhe pasi mori ndihmën e parë në Spitalin e Lezhës është dërguar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Sipas burimeve, ai ndodhet nën kujdesin mjekësor, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Policia nisi menjëherë hetimet në lidhje me ngjarjen.
Blutë kanë arrestuar në flagrancë 24-vjeçaren, ndërsa në cilësinë e provës materiale është sekuestruar thika me të cilën është qëlluar i riu, ndërsa dhe ky i fundit është proceduar penalisht dhe po hetohet në gjendje të lirë. Sipas burimeve nga uniformat blu, fillimisht dy të rinjtë kanë debatuar me njëri-tjetrin dhe në debat e sipër, vajza e ka qëlluar me thikë.
Nga hetimet paraprake të Policisë dhe dëshmisë që ka dhënë vajza, dyshohet se konflikti ka ndodhur, pasi i riu e ka ngacmuar 24-vjeçaren gjë që nuk është pranuar nga kjo e fundit, e cila ka reaguar. Policia pritet të marrë në pyetje edhe të riun, i cili po merr mjekim ne Spitalin e Traumës për të sqaruar rrethanat e vërteta të kësaj ngjarje, ndërsa materialet procedurale u referuan për veprime të mëtejshme, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë.