Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka falënderuar Presidentin amerikan Donald Trump, pasi ky i fundit bëri thirrje për anulimin e gjyqit të zgjatur për korrupsion ndaj tij.
Në një postim të gjatë në platformën Truth Social të mërkurën, Trump e cilësoi procesin gjyqësor si një “gjueti shtrigash qesharake” dhe një “shfaqje horror e padëgjuar”, duke e përshkruar si një padrejtësi të madhe ndaj një prej aleatëve më të ngushtë të SHBA-së.
Duke iu përgjigjur publikisht përmes një postimi në rrjetin social X, Netanyahu shprehu mirënjohje për atë që e quajti “mbështetje të sinqertë për mua dhe mbështetje të jashtëzakonshme për Izraelin dhe popullin hebre”.
“Pres me padurim të vazhdoj të punoj me ju për të mposhtur armiqtë tanë të përbashkët, për të çliruar pengjet tona dhe për të zgjeruar shpejt rrethin e paqes,” shkroi Netanyahu, duke shpërndarë një kopje të deklaratës së Trump.
Deklarata vjen në një moment të ndjeshëm politik për Netanyahun, i cili përballet me akuza të rënda për korrupsion që mund të çojnë në burgim, si dhe pas një lufte të shkurtër me Iranin që përfundoi me armëpushim në fillim të javës.