Në rast konflikti, edhe njohjet personale zbehen dhe tensioni zë vend më shumë sesa miqësia, mirëpo në raste të tjera, njohjet sado minimale, mbizotërojnë mbi çdo ngjarje të së shkuarës. Pranimi i kandidaturës për zgjedhjet në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s ka vënë në lëvizje numrin një të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Një e përditshme sportive ka mësuar se kreu i institucionit të futbollit në vendin tonë ka udhëtuar në Beograd tri ditë më parë. Qëllimi i takimit ka qenë për të biseduar me Tomislav Karaxhiç në lidhje me votën e Federatës Serbe të Futbollit në votimin për anëtarët e komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.
Lobimi
Pak ditë më parë, gazeta bëri me dije informacionin se persona të autorizuar nga numri një i federatës së futbollit të vendit tonë kishin takuar ish-legjendën e Milanit, Dejan Saviçeviç, i cili aktualisht është kreu i Federatës së Futbollit të Malit të Zi. Së fundmi, vetë presidenti i FSHF-së ka udhëtuar drejt Serbisë, në Beograd për të takuar nga afër kreun e Federatës Serbe të Futbollit në lidhje me votimin që do të kryhet në Helsinki më 5 prill.
Në këtë votim janë 13 kandidatë nga të cilët do të zgjidhën vetëm tetë për të qenë pjesë e Komitetit Ekzekutiv të UEFAs. Me sa duket, konflikti mes federatave për ngjarjet që pasuan ndeshjen Serbi-Shqipëri në Beograd, të cilat përfunduan me fitoren e çështjes gjyqësore që Shqipëria hapi në KAS të Lozanës, është lënë pas dhe tashmë vendin e kanë zënë negociatat dhe bisedimet për votën në zgjedhjet e 5 prillit. (E.K/SHUPLAKA)