Pas fluksit të lartë të automjeteve në qarkullim, policia ka shtuar kontrollet në pikat kyçe të vendit për të parandaluar shkeljen e rregullave dhe shkaktimin e aksidenteve rrugore.
Vetëm për disa orë operacion, gjatë pasdites së sotme, policia ka gjobitur 256 drejtues mjetesh, ka pezulluar 43 leje drejtimi dhe ka arrestuar një 55 vjeçar i cili është kapur duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Postimi i Plotë
Respekto rregullat, shpëto jetë!
Policia Rrugore me shërbime të shtuara në akset rrugore dhe në hyrje të Tiranës, Elbasanit, Durrësit dhe në rrugën e Kombit pasi fluksi i automjeteve është shtuar ndjeshëm që prej orës 16:00, që ka filluar kthimi i qytetarëve nga zonat bregdetare dhe turistike drejt Tiranës dhe Morinës .
Shërbimet e Policisë Rrugore janë vendosur në pikat kyçe në këto akse dhe segmente si dhe ka shtuar shërbime me lëvizje, për të parandaluar parakalimet e gabuara, pasi në të gjitha akset nacionale ka fluks të shtuar por pa pengesa.
Njësia Operacionale e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rrugore të Tiranës, dhe 11 Sektorët e Policisë Rrugore në DVP-të po monitorojnë fluksin me dron e radarë dhe alkooltestues për evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që kryejnë parakalime të gabuara, që qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara, që drejtojnë mjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Prej orës 16:00 janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 256 drejtues mjetesh që kryenin parakalime të gabuara apo sjellje agresive në rrugë.
Nga monitorimi me radar e dragera, Policia Rrugore në të gjithë vendin gjatë orëve të mbasdites së sotme ka pezulluar 31 leje drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara dhe 12 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.
Nga shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës është vënë në pranga shtetasi B.B, 55 vjeç, pasi drejtonte nje mjet taxi 8+1 në gjëndje të dehur në masën 0.94 mg/l.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ruajnë largësinë e sigurisë ndërmjet mjeteve për shkak të trafikut të rënduar, gjithashtu KUJDES, me parakalimet e gabuara, kufizoni shpejtësinë e lëvizjes sipas sinjalizimit rrugor, mos drejtoni mjetet pas përdorimit të pijeve alkoolike, pasi shërbimet e policisë rrugore janë duke monitoruar sjelljen tuaj në rrugë.