Tensionohen sërish marrëdhëniet e Perëndimit me Turqinë, kjo për shkak të ndalimit të një gazetari gjerman me prejardhje turke, i cili akuzohet si spiun.
Kjo ishte pikënisja e acarimit të marrëdhënieve, e cila u ndjek nga një kundërpërgjigje e Gjermanisë. Berlini ndaloi një tubim të zyrtarëve turq në qytetin gjerman të Gaggenau.
Por pas kësaj, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, në një deklaratë për mediat i konsideroi autoritetet e Gjermanisë si mbështetëse të terrorizmit.
Megjithatë historia nuk mbaron këtu, pas Gjermanisë ,Turqia është përplasur edhe me Hollandën. Kjo sepse edhe ky shtet kishte ndaluar një tubim të ministrave turq me komunitetin që jeton në Rotterdam. Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu ishte parashikuar të fliste para emigrantëve turq më 11 mars, por autoritetet vendase kanë kërkuar anulimin e aktivitetit. Çavusoglu e akuzoi Hollandën për mungesë të demokracisë.
Ergogan dhe qeveria e tij po pregatiten për një referendum, për të kaluar në një republikë presidenciale. Kjo është edhe arsyeja pse Turqia ka nisur një fushatë në vendet e Europës për të bindur emigrantët të votojnë në favor të kërkesës së tyre. Tubimet e anuluara janë pjesë e kësaj axhende. (D.D/Shuplaka)