Pasditën e sotme u mësua se futbollisti i 23 vjeçar të Hanover 96, Timo Huebers kishte rezultuar pozitiv me koronavirus, ndërsa një tjetër lajm ka shokuar futbollin pasi edhe futbollisti i parë i Serisë A mbrojtësi bardhezi Daniele Rugani ka rezultuar i infektuar pas analizave që i janë bërë.
Lajmi i hidhur është konfirmuar nga vetë ekipi i Juventusit përmes një komunikate për shtyp teksa njofton masat që po zbaton për izolimin e të gjithë atyre që kanë pasur kontakt me të.
“Futbollisti Daniele Rugani ka rezultuar pozitiv me Coronavirus-COVID-19, por për momentin nuk ka asnjë simptomë të sëmundjes. Juventus Football Club në këto orë po merr të gjitha masat dhe po zbaton procedurën e izolimit të parashikuara nga normat, duke përfshirë të gjithë ata që kanë patur kontakte me të”, shkruhet në njoftim.
Rugani bëhet futbollisti i parë i elitës së futbollit Italian që mbart Coronavirusin, ndonëse nuk ka dhënë asnjë shenjë të prekjes. Zbulimi ishte rastësor vetëm nga masat që kishte marrë klubi i Juventusit, duke çuar për ekzaminim tamponët e të gjithë pjesëtarëve të skuadrës.
Në këtë pikë, të gjithë ata që kanë qenë në konkakt me Ruganin do të vendosen në karantinë. Masë kjo që nuk do ta lejojë Juventusin të zbresë në fushë për ndeshjen e kthimit të Championsit ndaj Lyonit.
Ndërkohë, Ronaldo, që ka udhëtuar drejt Madeiras të hënën për t’i qëndruar pranë nënës së tij të sëmurë, do të qëndrojë në karantinë në Portugali.
Koronavirusi vijon të përhapet në të gjithë vendet e botës, duke shkaktuar mijëra viktima.
Virusit me origjinë nga Kina nuk i kanë shpëtuar as futbollistët. Mësohet se është konfirmuar rasti i parë me koronavirus në futbollin gjerman.
Bëhet fjalë për mbrojtësin 23 vjeçar të Hanover 96, Timo Huebers, i cili u diagnostifikua ditën e sotme. Lojtari kishte shfaqur simptomat e para të virusit dhe pasi është testuar ka rezultuar pozitiv.
Ende nuk dihet nëse do të pezullohet futbolli në Gjermani teksa shumica e ndeshjeve do të luhen me dyer të mbyllura.
Discussion about this post