Duket se dy kandidatët për kreun e PD-së kanë nisur intesivisht takimet me bazën e demokratëve në qytete të ndryshme të vendit.
Pas takimeve që pati në Kavajë Lulzim Basha mësohet se është nisur drejt qytetit të Lezhës, ndërsa Selami do të ketë takime me bazën e demokratëve në Mirditë.
Për këto qytete është menduar që fushata të bëhet në mënyrë të ndarë, ndërsa në takime të tjera është planifikuar dhe fushatë e përbashkët ku secili prej kandidatëve do të paraqesë platformën e tij për ringritjen e PD-së.
Nga Kavaja Basha ka theksuar se pavarësisht përpjekjeve të opozitës krimi dhe driga arritën të cënonin standardet e zgjedheve.
“E vetmja forcë që qëndroi, e vetmja forcë që tregoi moral, e vetmja forcë që tregoi vendosmëri, e vetmja forcë që nuk bleu asnjë votë, që nuk ofroi para dhe favore për votën, që nuk përdori krimin dhe bandat, e vetmja forcë që u ofroi shqiptarëve perspektivën e daljes nga kriza, e vetmja forcë me një plan për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza ekonomike, e vetmja forcë me program, e vetmja forcë që ka moralin të vazhdojë dhe ta fitojë këtë betejë është Partia Demokratike e Shqipërisë”, tha Basha nga Kavaja.
Ai pohoi se është koha për të marrë përgjegjësi, duke nisur nga ai vetë.
“Nuk kam ardhur vetëm për t’ju uruar dhe as për të marrë vetëm duartrokitjet tuaja sepse kjo është ora për të marrë përgjegjësitë e mia. Eshtë ora për të marrë të gjithë përgjegjësitë e mia për të gjithë vendimmarrjen, për të gjykuar bashkë me ju, a bëmë gjithçka që mundëm? A qendruam apo jo fuqishëm në kauzat që besonim, në kauzat e drejta të shqiptarëve; me dekriminalizimin, me luftën kundër drogës, me luftën për një drejtësi të pakapur e të panënshtruar politikisht dhe me luftën për zgjedhje të lira e të ndershme? Dhe nëse po, le të mos e konsiderojmë këtë fundin e një betejë, por njësoj si në vitin 1991, stacionin drejt betejës tjetër, betejës përfundimtare për të rrëzuar një herë e mirë këtë regjim. E për t’i rikthyer shqiptarëve shpresën në vend të frikës”, theksoi Basha.