Kryeministri Edi Rama, ka ironizuar opozitën në përgjigjen e tij për një nga komentuesit në rrjetet sociale, i cili i ka shkruar në lidhje me shkollat në kryeqytet.
“Shiko shkollat në Tiranë, Noc Rroku! Që kanë mbetur pa oborre se ua kanë grabitur mafiozët e ndërtimeve”, shkruan komentuesi, ndërsa Rama është shprehur se në Tiranë janë 45 shkolla të reja ndërsa 10 të tjera në proces.
Kryeministri përmendi shkollën “Kosova”, të cilën thotë se qeverisja socialiste e ngriti nga hiri.
“Asokohe isha kryetar bashkie dhe u thashë harrojeni se do të mund ndonjëherë të ndërtoni pallat në vend të shkollës sa të jem unë këtu. Prenë dhe pishat, pastaj i vunë zjarrin dhe godinës. Por ama në fund shko shikoje, e ringritëm nga hiri si feniksin shkollën më të vjetër të Tiranës”, tha Rama.
Kreu i qeverisë nuk kurseu kundërshtarët politikë, duke thënë se “më 11 Maj do të marrin Noc Rrokun”.
“Noc Rrokun morën nga i gjithë ai agresion mbi truallin dhe mbi godinën e shkollës “Kosova”, njësoj siç do ta marrin më 11 Maj”, tha ai.
Përgjigja e plotë e Ramës:
Patjetër Adrian, të ftoj të dalim bashkë një xhiro nëpër Tiranë dhe t’i shohim bashkë shkollat, por duhet të marrim bukë me vete se janë shumë për t’u parë, madje na duhet të marrim nja 3 ditë, të paktën nja 3 ditë leje nga puna se 1 ditë është shumë pak për t’i parë të gjitha. Janë 45 shkolla të reja në Tiranë ndërsa 10 të tjera në proces. Dua t’i shohim gjatë javës për një arsye tjetër, që të shohësh edhe nxënësit dhe të të mbushet mendja disave këtu që komentojnë dhe pyesin nëse ka më nxënës. Ndërsa historia e grabitjes së oborreve është e vjetër shumë ajo, e kohës së rrumpallës, së viteve ’90 dhe ashtu edhe kthimet e pronave në oborre shkollash janë dhe ato një histori e tejkaluar, edhe ajo e vjetër tanimë. Një nga ato kthime u bë te shkolla “Kosova”.
Asokohe isha kryetar bashkie dhe u thashë harrojeni se do të mund ndonjëherë të ndërtoni pallat në vend të shkollës sa të jem unë këtu. Prenë dhe pishat, pastaj i vunë zjarrin dhe godinës. Por ama në fund shko shikoje, e ringritëm nga hiri si feniksin shkollën më të vjetër të Tiranës.
Meqë ke përmendur Noc Rrokun, e kam qejf Nocin. Noc Rrokun morën nga i gjithë ai agresion mbi truallin dhe mbi godinën e shkollës “Kosova”, njësoj siç do ta marrin më 11 Maj Adrian, ku shqiptarët brenda dhe jashtë t’u tregojnë se Shqipëria nuk do të rrëshqasë më kurrë tëposhtë, por vetëm do ngjitet e do ngjitet lart drejt majës së 2030 në Bashkimin Europian. Erdhi 11 Maji, këtu do jemi.