Ministri i Punëve të Jashtme i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka deklaruar se nuk ka arsye për të anuluar vizitën shtetërore të Trump.
Ai tha se ftesa është bërë dhe është pranuar.
Aludimet për anulim të vizitës erdhën pas kritikave që Trump bëri ndaj kyetarit të bashkisë së Londrës, Sadik Khan, pas sulmeve terroriste në Londrës.
Trump e kritikoi ashpër Khanin në Twitter, duke e akuzuar se po arsyetohej në mënyrë patetike, pasi që Khan kishte thënë se londinezët nuk duhet të alarmohen nga prezenca e madhe e policisë në rrugët e kryeqytetit pas sulmit që vrau shtatë persona.
Presidenti amerikan ka shkruar në “Twitter” të dielën në mëngjes se Khan duhej kritikuar, pasi u ka thënë banorëve të qytetit të tij se “nuk ka asnjë arsye për t’u alarmuar”, pasi tre terroristë kanë sulmuar me furgon dhe më pas me thika dhjetëra njerëz përpara se të qëlloheshin nga Policia.
Por fjalët e Khan janë nxjerrë jashtë kontekstit, sipas mediave britanike. Kreu i Bashkisë ishte duke folur për rritjen e pranisë policore nëpër rrugë, kur tha se “nuk ka arsye për t’u alarmuar”. Khan, kryebashkiaku i parë mysliman i Londrës dhe kritik i politikave të Trump, më parë i kishte dënuar sulmet si barbare dhe akte frikacakësh.
Në mesazhin e Presidentit amerikan Donald Trump të dielën, shkruhej se “Ne duhet të ndalim sjelljet korrekte politike dhe të zbresim me këmbë në tokë për sigurinë e njerëzve tanë.
Nëse nuk bëhemi të zgjuar, gjërat do të bëhen gjithnjë e më keq. Të paktën 7 të vdekur dhe 48 të plagosur në sulm terrorist dhe kryetari i Bashkisë së Londrës thotë se nuk ka arsye për t’u alarmuar! A e keni vënë re se nuk po bëjmë më debat për përdorimin e armëve? Kjo sepse ata po përdorin thikat dhe kamionët!”, ishin mesazhet e Trump në “Twitter”.
Më parë, Presidenti amerikan ka ofruar çdo lloj ndihme të nevojshme për Britaninë, për të ndihmuar në luftën kundër terrorizmit në përgjithësi dhe në rastin në veçanti.
Sa për marrëdhëniet me kreun e Bashkisë së Londrës, ato kanë qenë të hidhura që gjatë fushatës elektorale, kur Trump premtoi se do të bllokojë hyrjen e myslimanëve në SHBA, por do të bëjë një përjashtim për kreun e Bashkisë së Londrës. Sadiq Khan e quajti atë një injorant.
Trump pritet ta vizitojë Britaninë këtë muaj. (B.H/Shuplaka)