Pas kronikës së transmetuar në Fax News ku banorët e fshatit Zerqan në Dibër shpreheshin se kryeministri Edi Rama nuk e mbajti premtimin për rregullimin e kanalit vaditës, ka reaguar ministria e Bujqësisë.
Me anë të një njoftimi një rrjetet sociale ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi shkruan se fondi është dhënë për kanalin vaditës, si dhe është dhënë urdhër për prokurimin me të njëjtin objekt.
“Skema e ujitjes në Fshatin Valikardhë të Qarkut Dibër, gati për sezonin e ri të vaditjes.
Sikurse shihet në dokumentin e aktit normativ të rishikimit të buxhetit, miratuar në Këshillin e Ministrave në datën 26 korrik 2018, Bashkisë së Bulqizës i është kaluar fondi prej 2.8 milionë lekë në zërin “Fond për investime për ujitje dhe kullim”, për rehabilitimin e kanalit ujitës Koziak – Valikardhë.
Në mbledhjen e parë mbas aktit normativ të Këshillit të Bashkisë Bulqizë më 6 shtator 2018 është konfirmuar destinacioni i fondit dhe në datën 26 shtator është ngarkuar në sistem urdhëri i prokurimit me të njëjtin objekt.
Kjo skemë është një premtim i mbajtur i Kryeministrit që do i shëbrejë 80 familjeve në fshatin Valikardh të Njësisë Administrative Koziak në Dibër. Sipërfaqja e ujitshme e rehabilituar shkon deri në 100 ha tokë.”- shkruan Peleshi.
Ndërkohë kujtojmë që kryeministri Edi Rama i pranishëm pothuajse një vit më parë në një familje në Zerqan të Dibrës, u premtoi atyre gjatë kohës që drekonte me to, se do ta mbante premtimin për ndërtimin e një kanali vaditës.
Pjesa nga biseda e Ramës me banorët në drekë
Rama: Sa është vlera e kanalit vaditës?
Banori: Shkon 20 milionë lekë…
Rama: Dorën këtu dhe do ta bëj unë!
Banori: Ke dhënë besën!
Sot një vit pas vizitës së shefit të qeverisë shqiptare, në Zerqan situata nuk ka ndryshuar aspak, ndërsa çështja e vaditjes vazhdon të mbetet një problem shqetësues për banorët. Përpos të gjithë kësaj historie me dreka ku jepet fjala nga i pari qeverisë në një tavolinë modeste të një familje shqiptare, ndërsa banorët skanë ende asgjë “në tavë” ministri i Bujqësisë e cilëson si projekt të përfunduar sistemin e ujitjes në këtë zonë dhe gati për sezonin e ri të vaditjes. Ndërkohë në dokumentet e publikuara shihet se urdhri i ministrit për prokurimin e fondit është data kalimin në sistem në fund të shtatorit.
(M.Q/Faxweb)
Discussion about this post