Ish kryeministri, Sali Berisha ka dhënë një deklaratë për mediat menjëherë pasi ka dalë nga mbledhja e Komisionit për Rithemelimin e PD-së. Në deklaratën e tij, Berisha përsëriti thirrjen që deputetët e grupit parlamentar të punonin së bashku për bashkimin e partisë Demokratike.
Ndërsa nuk la pa një përgjigjie edhe për thirrjen që i bëri kryetari i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj ku i kërkonte si kusht që Berisha të mos kandidonte për kreun e partisë. Ish kryeministri tha se me atë deklaratë të cilën Alibeaj e lexoi, e kthente ish kryedemorkatin Basha në një “plaçkë tregu”.
Berisha: Kanë votuar për shkarkimin e tij, 4400 delegatë dhe 44 mijë anëtarë të partisë Demokratike. Kjo është e vërteta e pandryshueshme. Duke e theksuar këtë ne jemi të vendosur të punojmë për bashkimin e PD-së me të gjithë ata të cilët besojnë se vota e lirë e anëtarëve të saj, duhet të bashkojë demokratët dhe mund t’u them që ka një mirëkuptim të gjerë gjatë këtyre ditëve në këtë drejtim.
Pyetje: Alibeaj lexoi draftin ku thuhet se deputetët që ju mbështesin duhet t’ju bindin të mos kandidoni.
Berisha: Ka vetëm një grup parlamentar të PD-së, nuk ka dy grupe. Duke thënë këtë nuk është se disa qëllime absurde të Lulzim Bashës nuk krijuan anomali në grupin parlamentar. Mendoj se tashmë deputetët duhet të normalizojnë jetën e grupit parlamentar. Sa i përket, fletushkës që lexoi zoti Alibeaj, mund të them se në atë fletushkë Lulzim Bashën e kthente në plaçkë tregu.