Më shumë se 90 kamionë me ndihma humanitare janë mbledhur nga ekipet e OKB-së brenda Rripit të Gazës, tre ditë pasi Izraeli lehtësoi bllokadën 11-javore.
Ndihma, e cila përfshinte miell, ushqim për fëmijë dhe pajisje mjekësore, u mor nga vendkalimi Kerem Shalom të mërkurën në mbrëmje dhe u dërgua në depo për shpërndarje. Disa furra buke filluan të prodhonin bukë të enjten.
OKB-ja tha se vonesat ishin për shkak të mungesës së sigurisë përgjatë rrugës së vetme të aksesit të miratuar nga ushtria e Izraelit.
Autoritetet izraelite deklaruan se lejuan të kalonin 100 kamionë shtesë përmes Kerem Shalom të mërkurën. Megjithatë, OKB-ja tha se kjo shifër nuk ishte “as afër për të përmbushur nevojat e mëdha në Gaza”.
Ministri i Shëndetësisë i Autoritetit Palestinez, Majed Abu Ramadan, i cili ndodhet në Bregun Perëndimor të pushtuar, u tha gazetarëve të enjten se 29 fëmijë dhe të moshuar kishin vdekur nga shkaqe “të lidhura me urinë” në dy ditët e fundit.
Izraeli ndaloi të gjitha dërgesat e ndihmave dhe furnizimeve tregtare në Gaza më 2 mars dhe rifilloi ofensivën e tij ushtarake dy javë më vonë, duke i dhënë fund një armëpushimi dy-mujor me Hamasin.
Thuhet se hapat kishin për qëllim të ushtronin presion mbi grupin e armatosur për të liruar 58 pengjet që mbahen ende në Gaza, deri në 23 prej të cilëve besohet se janë gjallë.
Izraeli ka këmbëngulur se nuk ka pasur mungesë ndihmash dhe ka akuzuar Hamasin për vjedhjen e furnizimeve për t’ua dhënë luftëtarëve të tij ose për t’i shitur për të mbledhur para një akuzë që grupi e mohoi. OKB-ja gjithashtu mohoi se ndihma ishte devijuar.