Sot është dita e katërt e protestave pranë ish-Parkut të autobusave, ku firma e ndërtimit e Mihail Delijorgjit ka prishur një lulishte me leje të bashkisë dhe ka nisur punimet për ndërtimin e një kompleksi pallatesh.
Mirëpo mësohet se plot 11 prej protesuesve, që ditën e parë të protestës tentuan të rrëzojnë murin rrethues që ka ngritur firma në zonën ku po kryhen punimet, janë shoqëruar në polici. Sakaq, mësohet se një tjetër akuzë ndaj protestuesve është “kundërshtimi i forcave të policisë”, pasi ditën e dytë të protestës ka pasur një përballje mes dy palëve.
“Ditën e premte, shërbimet e Komisariatit nr.2 shoqëruan 6 persona, ndaj të cilëve nisi procedim penal në gjendje të lirë. Policia tha se ka referuar materialet në Prokurori për shtetasit, P.B., 64 vjeç, T.B., 39 vjeç, A.H., 44 vjeç, Xh.R, 48 vjeç, A.H., 41 vjeç, dhe A.B., 60 vjeç.”, thuhet në njoftimin e policisë.
6 personat e lartpërmendur, së bashku me disa persona të tjerë ende të paidentifikuar nga policia por që janë banorë të lagjes, akuzohen se janë ngritur në protestë dhe kanë dëmtuar murin rrethues të ndërtuar nga firma “Arlis Sh.p.k”, në pronësi të Armand Lilos.
Ndërsa të shtunën, në ditën e dytë të protestës, Policia shoqëroi e nisi procedim penal për 5 persona të tjerë. Mësohet se janë marrë në hetim shtetasit me iniciale, K.H., 21 vjeç, E.P., 19 vjeç, E.H., 33 vjeç, B.L., 24 vjeç, dhe A.Q., 36 vjeç.
Policia tha se këta persona kanë organizuar një protestë të paligjshme për punimet me leje të një firme ndërtuese, duke penguar lëvizjen e mjeteve dhe për shkak të detyrës nuk u janë bindur urdhrave të punonjësve të policisë së rendit për të liruar rrugën. (D.D/Shuplaka)