Ministria e Brendshme pas përfundimit të protestës së opozitës, ka një deklaratë të fundit për pjesëmarrësit.
Ministria falenderon pjesëmarrësit për qytetarinë e treguar gjatë protestës.
Ministria shton se pavarësisht masivitetit nuk ka patur incidente dhe se policia e Shtetit garantoi të drejtën e qytetarëve për të protestuar.
Deklarata e plotë e Ministrisë:
“Ministria e Brendshme falënderon pjesëmarrësit për mënyrën e qetë dhe qytetarinë e dëshmuar gjatë zhvillimit të kësaj proteste. Falënderojmë qytetarët e Tiranës për mirëkuptimin dhe durimin e dëshmuar pavarësisht vështirësive që mund të kenë hasur gjatë bllokimit të disa akseve rrugore, sot.
Po ashtu, Ministria e Brendshme vlerëson bashkëpunimin me organizatorët e këtij tubimi në mbështetje të punës së Policisë së Shtetit.
Është meritë e të gjithë punonjësve dhe drejtuesve të Policisë së Shtetit, të cilët u angazhuan duke menaxhuar me shumë profesionalizëm dhe në respektim të plotë të ligjit mbarëvajtjen e tubimit dhe garantuan jo vetëm të drejtën e qytetarëve për të protestuar, por edhe rendin e sigurinë.
Policia e Shtetit administroi me korrektesë të gjithë lëvizjen në akset rrugore dhe parkimin në Tiranë të rreth 70 autobusëve, 90 minibusëve dhe një numri të konsiderueshëm furgonësh dhe automjetesh, të ardhura për tubimin e organizuar nga PD dhe partitë e saj aleate nga të 12 qarqet e Shqipërisë.
Ministria e Brendshme gjen rastin të falënderojë dhe vlerësojë mediat që transmetuan me transparencë dhe profesionalizëm masat e marra dhe angazhimin e strukturave dhe punonjësve të Policisë së Shtetit në menaxhimin e këtij tubimi.
Në të njëjtën kohe, Ministria e Brendshme vlerëson gjithashtu edhe bashkëpunimin e realizuar me institucionet e tjera ligj zbatuese në vend, para dhe gjatë protestës.
Falënderojmë misionet ndërkombëtare të asistencës policore për mbështetjen e ofruar prej tyre në hartimin dhe realizimin e masave policore për menaxhimin e tubimit.
Ministria e Brendshme shpreh bindjen se edhe në të ardhmen Policia e Shtetit do të sigurojë zhvillimin e çdo tubimi paqësor, duke garantuar në çdo rast, sigurinë e jetës së qytetarëve dhe rendin publik, në respekt e zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.”
(F.G/Faxweb)