Pas refuzimit të takimit me zyrtarin amerikan Yee, reagon Astrit Patozi. Deputeti demokrat shpjegon se do të mungojë për një arsye të fortë personale.
Patozi thotë se e falenderon atë dhe SHBA-në për ndihmën që po japin për zgjidhjen e krizës. Por ai vetë nuk do jetë në takim me zëvendësndihmës sekretarin Amerikan të Shtetit. Nga ana tjetër Patozi u shpreh se ka pak shpresë për zgjidhje të krizës.
REAGIMI I PLOTË:
”INKURAJOJ FORT ÇDO FAKTOR QË NDIHMON ZGJIDHJEN E KRIZËS
E kam shprehur në mënyrën e duhur falenderimin dhe vlerësimin tim, jo vetëm ndaj ftesës për t’u takuar me zotin Yee, por mbi të gjitha ndaj përpjekjes së tij dhe të administratës amerikane për t’i dhënë një zgjidhje in extremis krizës se pakuptimtë politike në Tiranë.
Për një arsye të fortë personale nuk do të jem i pranishëm në takim, por vijoj të inkurajoj çdo faktor politik ndërkombëtar dhe vendas, që mund t’i shërbejë ende kauzës së zgjedhjeve normale në Shqipëri. Se nuk ma nxë goja ta them atë termin “të lira e të ndershme”, që më duket si versioni surrealist i ëndrrës shqiptare për demokraci perëndimore, kaq i largët me katandisjen tonë sot.
Ndonëse nuk i përkas racës së optimistëve futuristë, të cilët besojnë çdo përrallë që u shfaqet përpara, ende kam një shpresë të vakët se mund të gjendet prapëseprapë një shteg për të evituar dështimin e zgjedhjeve.
Sepse i qëndroj fort bindjes sime se mospjesmarrja e Partisë Demokratike në to është skenari më i keq i kësaj krize të pashembullt dhe të paprecedent. ”
Majlinda Bregu, Eduard Selami, Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi janë 4 deputetët e kontaktuar nga ambasada për një takim me përfaqësuesin e Departamentit të Shtetit. Eduard Selami dhe Astrit Patozi do të mungojnë në këtë takim, i pari për arsye është jashtë shtetit, ndërsa Patozi ka deklaruar se nuk do jetë i pranishëm për shkak të një problem personal. Majlinda Bregu do ta takojë zyrtarin amerikan ndarazi për shkak të divergjencave që duket se ka mes saj dhe Topallit. (B.H/SHUPLAKA)