Banorët e një pallati te rruga “Ndre Mjeda” kanë protestuar përpara Bashkisë së Tiranës ditën e sotme në lidhje me fatin e apartamenteve të tyre, pas sherrit midis financuesit dhe ndërtuesit të godinës.
“Ne jemi këtu sot, sepse kemi kërkuar një takim që në datë 11 janar dhe është data 26 janar dhe akoma s’kemi marrë një përgjigje për një takim. S’na mbeti gjë tjetër vetëm të vijmë këtu dhe të bërtasim duam një takim me zotin Erjon, sepse vetëm ai mund ta zgjidhë këtë punë,” u shprehën banorët gjatë protestës.
Kërkesa e vetme e banorëve të këtij pallati është që të lejohen të futen brenda ambienteve të godinës dhe shprehen të gatshëm për t’i përfunduar vetë punimet.
“Jemi të gatshëm t’i financojmë vetë punimet, por problemi është se ‘Star Construction’ na ka vënë një barrierë dhe nuk na lejon të futemi në territor, as për t’i parë e jo më për të bërë investime,” deklaroi një nga banorët.
Bashkia e Tiranës ka reaguar pas protestës dhe ka pritur në takim një përfaqësues të këtyre banorëve, duke iu premtuar se do të kenë një përgjigje brenda një javë për një zgjidhje të përhershme, sipas banorit që u prit nga zëdhënësi i kryetarit Erjon Veliaj.
“Na pritën shumë ngrohtë. E mirëkptuan problemin që kanë këta banorë. Na premtuan se brenda një javë do të mundohen të gjejnë një mundësi për një zgjidhje përfundimtare të problematikës.
Ne duam zgjidhje reale. Nuk na intereson kush fiton mes palëve. Duam që punimet në apartamentet tona të vazhdojnë.Zëdhënësi na garantoi se do ta bisedoj me kryetarin problematikën ne favor të banorëve,” u shpreh përfaqësuesi i banorëve.
Fati i banesave të këtij pallati mbetet i paqartë përshkak të përplasjeve midis dy biznesmenëve përgjegjës për ndërtimin e pallatit, Albert Allmuça dhe Sino Llanaj. Pak ditë më parë ka pasur dhe një përplasje të armatosur midis palëve, gjë e cila shkaktoi plagosjen me armë zjarri të Sino Llanajt. Të dy biznesmenët janë në arrest shtëpie.
(E.H/Faxweb.al)