Pas lajmeve për një largim të mundshëm të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, Kryeministri Edi Rama nesër do të mbledhë kabinetin qeveritar. Mësohet se mbledhja do të bëhet rreth orës 10:00.
Edhe pse gjatë ditës së sotme u dha lajmi se Tahiri i ka dorëzuar dorëheqjen Ramës, ai më vonë e mohoi ta ketë bërë një gjë të tillë.
Përveç Tahirit, raportohet se Rama ka në plan që të largojë edhe disa ministra të tjerë, të cilët planifikohen të jenë në ndjekje të zgjedhjeve në qarqe. Nuk dihet sa do t’i përmbahet Rama këtij plani, por emrat e përfolur janë:
1.Bledi Çuçi, ministër Shteti për Çështjet Vendore- në Gjirokastër.
2.Mimi Kodheli, ministër i Mbrojtjes- në Dibër
3.Ilir Beqaj, ministër i Shëndetësisë-Në Kukës
4.Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë dhe Industrisë – në Vlorë.
Ky vendim i Ramës pritet të vërtetohet nesër pas mbledhjes së kabinetit qeveritar. Kjo lëvizje për të ndryshuar një sërë ministrash të kabinetit, vjen pas protestave të opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie teknike. (D.D/Shuplaka)