Ambasadorja Yuri Kim ka përfunduar vizitën 2 ditore në Shkodër dhe i është drejtuar Rezidencës Mbretërore ku ka zhvulluar një takim me Princ Lekën. Në bisedën e tyre, vëmendje të madhe iu dha potencialit njerëzor si dhe talenteve të shqiptarëve. Nuk mbeti jashtë fokusit biseda për politikën dhe zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen vitin e ardhshëm më 25 Prill.
Princ Leka: Ishte një kënaqësi të mirëprisnim në Rezidencën Mbretërore vizitën e Shkelqesisë së Saj Ambasadores së Shteteve të Bashkuara Yuri Kim.
Përfitova nga rasti të falenderoj Znj Ambasadore për mbështetjen e treguar ndaj Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara, çka pasqyron miqësinë e gjatë midis vendeve tona. Unë shpreha mbështetjen time absolute në respektimin e luftës ndaj korrupsionit dhe implementimin e një sërë reformash për një standart sa më të mirë.
Biseda ishte shumë e ngrohtë dhe optimiste për të ardhmen e vendit dhe u përqëndrua në potencialin njerëzor dhe talentet e shqiptarëve. Gjithashtu folëm për bukuritë natyrore dhe historinë e pasur të Shqipërisë. Sigurisht nuk mbetën pa prekur temat e çështjeve aktuale si klima delikate dhe dinamike politike e vendit. Shqipëria do të zhvillojë zgjedhjet vitin e ardhshëm ndaj stabilitetit dhe paqja janë thelbësore. Proçesi demokratik ka një rëndësi të veçantë pasi Shqipëria synon dhe duhet ta shohë të ardhmen brenda Bashkimit Evropian.