Janë publikuar pamje tronditëse që tregojnë turistë në malin Etna teksa vrapojnë për t’iu shmangur një situate të rrezikshme, ndërsa nga krateri i vullkanit shpërndahej një sasi e madhe hiri. Sipas autoriteteve, një pjesë e kraterit juglindor të këtij vullkani të njohur në Sicili u aktivizua papritur pak pas orës 11:00 të mëngjesit të së hënës.
Turistët që ndodheshin aty për vizitë, u panë duke ikur me nxitim për të shpëtuar, ndërsa një re e dendur hiri përhapej pas tyre. Pamjet tregojnë momente të tensionuara, por në mënyrë të habitshme, disa nga vizitorët ndaluan për të fotografuar skenën dramatike, pavarësisht rrezikut që u kanosej.
Malin Etna, i cili ngrihet në një lartësi prej rreth 3,300 metrash, mund ta vizitosh me turne të organizuar nga guida të specializuara, megjithëse disa pjesë të tij janë të qasshme edhe në mënyrë të pavarur. Qendra Këshillimore për Hirin Vullkanik lëshoi për pak kohë një paralajmërim të kuq për trafikun ajror, pasi reja e hirit arriti një lartësi prej rreth 6.5 kilometrash.
Etna, i konsideruar si vullkani më aktiv në kontinentin evropian, kishte shfaqur shenja aktiviteti të shtuar gjatë natës, me lëkundje që, sipas ekspertëve, ishin pararendëse të shpërthimeve të mëngjesit.
Një turist amerikan, Jamie Boone nga Uashingtoni, i cili po vizitonte vullkanin në atë moment, tregoi për DailyMail.com se guida e udhëtimit i paralajmëroi të largoheshin menjëherë kur filloi të shpërthente hiri. Sipas tij, edhe pse kishte pasur shenja aktiviteti gjatë gjithë mëngjesit, askush nuk e priste që shpërthimi të ishte aq i fuqishëm dhe i menjëhershëm.