Në vijim të publikimeve të fundit në disa portale mediatike, lidhur me problematika të pretenduara në industrinë e qumështit në vend, Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit dhe Shoqata e Blegtorëve Prodhues të Qumështit kanë reaguar përmes një deklarate të përbashkët.
Ato sqarojnë se industria shqiptare e qumështit funksionon sipas standardeve më të larta të sigurisë ushqimore dhe theksojnë se aktualisht nuk ka asnjë çështje të hapur nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) lidhur me kompanitë e përfshira në këto lajme.
Në deklaratë, përfaqësuesit e industrisë shqiptare kërkojnë mbështetje për prodhimin vendas dhe shprehin angazhimin e tyre për sigurinë dhe cilësinë maksimale të produkteve.
Deklarata e plotë:
Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit
Shoqata e Blegtorëve Prodhues të Qumështit
Në lidhje me lajmet e publikuara së fundmi në disa portale mediatike, dëshirojmë të sqarojmë për publikun e gjerë disa fakte të rëndësishme:
Industria shqiptare e qumështit duke filluar që nga fermerët e deri te përpunuesit, punon çdo ditë në përputhje me ligjet dhe standardet më të larta të sigurisë ushqimore. Proceset tona të kontrollit përfshijnë testime të rregullta të cilësisë dhe ndërhyrje të menjëhershme në rastet kur konstatohet nevoja për korrigjime.
Theksojmë se aktualisht nuk ka asnjë çështje të hapur nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ndaj ndonjë prej kompanive të përmendura në këto lajme, lidhur me problematika të aflatoksinës.
Në një treg gjithnjë e më të hapur ndaj produkteve të importuara, është e dhimbshme të shohim që herë pas here përhapja e lajmeve të pabazuara rrezikon të dëmtojë punën dhe përpjekjet e mijëra fermerëve dhe përpunuesve shqiptarë, në një kohë kur mbështetja për prodhimin vendas është më e rëndësishme se kurrë.
Si industri dhe fermerë, riafirmojmë përkushtimin tonë për sigurinë, cilësinë dhe transparencën ndaj çdo familjeje shqiptare.