Pas ngritjes së Prokurosisë së Posaçme nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ishte radha e Këshillit të Lartë Gjyqësor për ngritjet dhe vënien në funksion të Gjykatës së Posaçme. Në një mbledhje e cila ka zgjatur disa orë, KLGJ ka bërë të mundur emërimin si të përkohshëm të 12 gjyqtarëve për Shkallën e Parë të Gjykatës së Posaçme. Të gjithë këta 12 gjyqtarë kalojnë nga Gjykata për Krime të Rënda në gjykatën e re kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, edhe pse një pjesë e tyre nuk kanë kaluar akoma me formë të prerë procesin e vettingut. Deri në hapjen zyrtare të garës për emërimet e gjyqtarëve të përhershëm, do të qëndojnë në detyrë si të përkohshëm gjyqtarët: Daniela Shirka, Etleva Dede, Flora Haredinaj, Ilirjana Olldashi, Irena Gjokaj, Marsela Balili, Miliana Muçaj, Ardit Mustafaj, Bib Ndreca, Fran Prendi, Klodian Kurushi dhe Sandër Simoni.
Më tej, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka miratuar edhe emrat e pesë gjyqtarëve të Apelit të Gjykatës së Posaçme, të cilët marrin emërim të përhershëm, me mandat të plotë pasi kanë kaluar me vendim të formës së prerë sitën e vettingut. Të përhershëm caktohen gjyqtarët Albana Boksi, Nertina Kosova, Saida Dollani, Dhimitër Lara dhe Sokol Binaj. Ndërkohë, gjyqtarja Nure Dreni, e cila vijon procesin e rivlerësimit në vetting, është caktuar si e përkohshme, duke e çuar në gjashtë numrin në total gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme të Apelit.
KLGJ ndërkohë miratoi me shumicë votash edhe transferimin në gjykata të tjera të disa gjyqtarëve të tjerë.
Zyrtarisht, Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit fillon punën në datën 19 dhjetor, ditë kur edhe Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit fillon funksionin pas betimit të anëtarëve të saj para Presidentit Meta dhe shpalljes së drejtuesit nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Me fillimin e punës së SPAK, përmbyllen kështu më shumë se 15 vite pune intensive të Gjykatës dhe Prokurorisë për Krime të Rënda, për t’i lënë radhën një tjetër fryme më të avancuar hetimi dhe gjykimi.
Sokol Dema