Ish-presidenti Bamir Topi ka folur për mediat pas takimit afro 40 minutësh me Ilir Metën. Topi u shpreh se Metën u diskutua kriza politike në vend për Gjykatën Kushtetuese dhe për krizën institucionale.
Ish-presidenti tha se zgjidhja për ngërçin ku ndodhet vendi nuk vjen nga aktorët e jashtëm. Topi tha se duhet të ketë balancë të institucioneve dhe se palët që janë në këtë përplasje duhet të gjejnë patjetër vullnetin për t’i dhënë një zgjidhje, që nuk është çështje e pushtetit personal.
“Unë respektova vendimin e Metës për takim. Folëm për Gjykatën Kushtetuese dhe krizën institucionale në vend. Ne mund të japim mendime, por zgjidhja nuk vjen nga aktorët e jashtëm. Do ishte e vështirë të flisja sot nëse nuk do të kisha luftuar në prill të viti 2008. Nëse gjendja e institucioneve është në këtë pikë, është si pasojë e 22 prillit të viti 2008. Historia e përplasjes institucionale është e trishtë dhe më e paprecedentë. Unë e kam thënë, i gjithë ai pushtet që ndryshoi në vitin 2008 në favor të mazhorancave politik, dezekuilibroi mënyrën e sjelljes politike. Kush bëhet kryeministër, patjetër dita ditës, marrin pushtet. Në një shtet modern duhet të ketë balancë të institucioneve. Palët që janë në këtë përplasje duhet të gjejnë patjetër vullnetin për t’i dhënë një zgjidhje që nuk është çështje e pushtetit personal, njerëzit presin”.
Gjithashtu, Topi tha se janë 3 raste kur parlamenti mund të shpërndahet sipas përcaktimit në Kushtetutë.
“Rastet kur mund të shpërndahet parlamenti janë: I pari i përket nenit 87, pika 5 dhe ka të bëjë me procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Në rast se zgjedhja dështon në të pesta raundet, Kuvendi shpërndahet vetë pa ndonjë dekret presidencial.
Rasti i dytë parashikohet kur Parlamenti dështon për të zgjedhur Kryeministrin e ri. Në një situatë të tillë, shpërndarja bëhet nga Presidenti, siç përcaktohet në nenin 96 të Kushtetutës, në pikën 4.
Rasti i tretë ka të bëjë me mocionin e besimit të qeverisë të paraqitur nga vetë Kryeministri, i sanksionuar në Kushtetutë në nenin 104, pika 2. Kur mocioni votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, është Kryeministri ai që i kërkon Presidentit ta shpërndajë Kuvendin.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nuk parashikon asnjë moment tjetër kur Presidenti, me iniciativë të tij të mund të shpërndajë Kuvendin.”
(K.H/Faxweb.al)