Kryetari i Kuvendit, njëkohësisht edhe i LSI-së, Ilir Meta, pas takimit me kryeministrin Edi Rama ka marrë pjesë në një takim me vajza dhe gra të Njësisë administrative Nr.1 në Tiranë.
Në këtë takim ishin të pranishme edhe figura të njohura femërore të LSI-së, siç është kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha, deputetja Kejdi Mehmetaj, apo zv.ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj.
Gjatë këtij takimi Meta u tha femrave të LSI-së se gruaja dhe nëna është padyshim kolona vertebrale e atdheut, dhe jo vetëm e shtëpisë.
“Fuqizimi i gruas, është fuqizimi i familjes, është fuqizimi i vlerave më të mira të shoqërisë sonë. Gruaja dhe nëna është bërthama e familjes, është bërthama e shoqërisë dhe padyshim që është edhe kolona vertebrale e atdheut. Ne besojmë te këto vlera pasi janë të rëndësishme për një shoqëri të përgjegjshme, për një familje të përgjegjshme dhe të shëndetshme dhe për t’i vënë një fre këtij egoizmi të sotëm”, tha kreu i LSI-së.
Ndër të tjera, Meta tha se vendi ka nevojë për një politikë që kujdeset dhe zgjidh hallet e qytetarëve dhe jo për konflikte apo frymë përjashtuese.
“Ne duam një politikë ku shoqëria, debati, vendimmarrja të përqendrohen te çështjet dhe te zgjidhja e tyre. Nëse ne do të ecim me paragjykime dhe me frymën e përjashtimit ne do të mbetemi këtu ku jemi që diskutojmë në 27 vjet demokraci a do kemi zgjedhje apo jo, si do bëhen zgjedhjet”, tha Meta.
Pak orë më parë, Meta u takua me kryeministrin Edi Rama në ambientet e “Hotel Tirana”, ku thuhet se kanë diskutuar për fatin e koalicionit PS-LSI. (D.D/Shuplaka)
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”1596″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]