Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayp Erdogan do të flasë sot në një intervistë për gazetarin Sokol Balla në “TOP STORY”.
Në këtë intervistë, të cilën e ka dhënë por do të transmetohet në mbrëmje, presidenti i turqisë pritet të flasë për raportet mes dy vendeve, për investimet turke në Shqipëri, organizatat që mbështeten nga Fejtullah Gylen, por edhe për raportet që ka ai me kryeministrin e Shqipërisë.
Intervista e tij për televizionin shqiptar pritet me interes edhe për shkak të kohës në të cilën ndodh. Vendi ynë është vetëm 5 ditë para zgjedhjeve parlamentare dhe mbetet për t’u parë nëse në nëntekstin e mesazheve që do të përcjellë Erdogan do të kuptohet mbështetja ose jo që ai mund t’i japë kryeministrit Edi Rama.
Ai ka patur një marrëdhënie mjaft të mirë me qeverinë shqiptare dhe Edi Ramën të cilin e ka ftuar dhe në dasmën e vajzës së tij më parë. Erdogan është ndër liderët që Rama ka takuar më së shumti nga liderët e rëndësishëm ndërkombëtar.
Më ndryshe paraqitet situata me aleatin tonë më të madh stratëgjik SHBA-në, ku kryeministri shqiptar është dukur të ketë një marrëdhënie të distancuar me presidentin Donald Trump, të cilin kryetari i opozitës Lulzim Basha e takoi vetëm pak ditë më parë, takim i cili u raportua si mjaft i suksesshëm.
Mbetet për t’u parë nëse kjo intervistë është në mënyrë indirekte një “kundërpërgjigje” e Ramës ndaj Bashës pas takimi të tij me Trump.
Një tjetër kureshtje, duke patur parasysh marrëdhënien e mirë të Erdogan me qeverinë shqiptare ku ka qenë pjesë edhe LSI, është edhe mesazhi që mund të japë ai për prishjen e raporteve ndërmjet Ramës dhe Metës, do t’i japë mbështetje vetëm Ramës apo do të bëjë thirrje për bashkëpunim mes tyre.
Kujtojmë që Kryeministri Rama është sulmuar më parë edhe në parlament në lidhje me raportin që ka me Erdogan. Deputeti dhe Kreu i LIBRA-S, Ben Blushi e pati akuzuar Ramën se duke marrë shembull Erdoganin po bëhet gjithnjë e më shumë autoritar. (B.H/Shuplaka)