Mediat në Beograd raportojnë një bllokadë të mundshme nga Kosova për zyrtarë të lartë të qeverisë serbe dhe kjo vjen pas vendosjes së taksës 100% nga Qeveria e Haradinajt për produktet serbe si hakmarrje ndaj kësaj të fundit pas presioneve të administratës “Vuçiç” për votë kundër në Interpol.
Gazeta serbe, “Novosti” shkruan se, “edhe para aplikimit të taksës doganore për hyrjen e mallrave nga Serbia në territorin e Kosovës, autoritetet e Prishtinës, më 1 nëntor kanë marrë vendim që zyrtarëve më të lartë të Beogradit t’u ndalohet kalimin nëpër vendkalimet kufitare, në mënyrë që të mos hyjnë në Kosovë”.
Sipas kësaj gazete Lista e personave të padëshiruar në Kosovë është shpërndarë në të gjitha pikat e kontrollit të policisë në vendkalimet kufitare, duke vënë në dukje se do të arrestohen menjëherë nëse ndonjëri prej tyre tenton të futet në Kosovë.
Gjithashtu, gazeta shkruan më tej duke thënë se, në listën e zyrtarëve serbë që do t’iu ndalohet hyrja përfshihet edhe kryeministrja Ana Brnabiç, ministra të qeverisë dhe krerët e Parlamentit të Serbisë, por edhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Supreme.
“Në ‘listën e zezë’, nga kabineti i kryeministres Brnabiç janë Ivica Daçiç, Nebojsa Stefanoviç, Rasim Lajiç, Zoran Mihajloviç dhe Aleksandër Vulin”.
Përfaqësuesit e padëshiruar nga Kuvendi i Serbisë janë: Maja Gojkoviç dhe zëvendësit Verolub Arsiç, Vladimir Marinkoviç, Gjorgje Miliçeviç, Verica Radeta dhe Gordana Çomiç; si dhe 14 gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të kryesuar nga presidentja Vesna Iliq Preliç, 4 gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kasacionit dhe presidentit të saj, Dragomir Milojeviç; si dhe disa sekretarë shtetërorë e ndihmësministra”, shkruan gazeta.