Pas rinumërimit të votave të qarkut Tiranë dhe Fier, sot në orën 09:00, në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” pritet të nisë procesi edhe për kutitë e Durrësit. Janë 290 kuti që do të rihapen, ku do të përfshihet edhe vota e diasporës për këtë qark.
Në këtë qark, beteja është mes Aulon Kalasë dhe ish-prokurorit Arjan Ndoja. Ky i fundit fitoi me një diferencë prej 1047 votash. Kalaja nuk u mbështet nga PD në betejën e tij për rinumërim, por u ndihmua nga Partia Lëvizja e Legalitetit, i cili ishte në koalicionin PD-ASHM.
Kalaja protestoi edhe dje para Pallatit të Sportit “Farie Hoti”, ku po rinumëroheshin kutitë e fundit të Fierit, duke kërkuar korrektësi nga KAS dhe rinumërim të plotë të Durrësit. Kërkoi gjithashtu paralelisht edhe këqyrjen e pamjeve filmike me pretendimin se i janë transferuar votat brenda partisë.
Kujtojmë që një ditë më parë kutitë e fundit dogjën mandatin e Zegjine Çaushit dhe ia dhanë Maldrita Bardhos me një diferencë prej 10 votash. Por, në një lëvizje surprizë në mbrëmje, Bardho u tërhoq duke i “dhuruar” mandatin koleges së saj Çaushi.